Autor: Gani Mehmeti

Bellosica a Bollosica a Bellasica është një. Është i njëjti vend. Por, mbani mend: Kosovës i dha emrin ky lokalitet – Bellasica. Vend që ngrihet përpjetë dhe që rrethohet a kufizohet me Serbinë që nga viti  1878, vend me birfukacion qoftë në anën lindore e veriore që kufizohet me Serbinë, qoftë në anën perëndimore që kufizohet me komunën e Leposaviqit. Kjo rrugë që përshkohet tehut mes Bellosicës e Leposaviqit quhet Devrije[1], rrugë që me gjasë përshkohet deri në Mitrovicë ku dërgohej xeheja e shkrirë në Bollosicë gjatë kohës  romake a pararomake. Edhe sot gjenden copa të shumta gurësh, që banorët e këtushëm e quajnë Ërxha e Rudës (Mbeturina e xehes). Në jug lidhet përmes luginës së lumit Llap me mikroregjionin tjetër, me Marincën dhe vetë fshatin Murgullë.

Nëse do të përshkruhej një vend aq piktoresk sa ka ditur ta krijojë vetëm Natyra, Ajo është Bollosica: me male, me livadhe, me shpatije me burime ujërash, madje edhe shërues, siç është Kroni i Suyve, i cili quhet kështu, pse shëron sytë. E gjithë vija kufitare mes Bollosicës dhe Serbisë dhe me komunat e Kosovës, Mitrovicë e Leposaviq,  sikur është një fortesë  mbrojtjeje e vetë Bollosicës dhe Llapit nga kjo anë.  Pasuritë nëntokësore të Bollosicës janë të shumta jo vetëm  sot, por këto begati janë  prej kur u krijua rruzulli tokësor.  Dëshmi për këtë  janë pikërisht mbeturinat e xehes mbi të cilat mund të ecësh edhe sot, se edhe pse është shfrytëzuar, ky vend është i pasur  me to, nga që nuk është shfrytëzuar në thellësi, por vetëm në sipërfaqe. Ky damar i xehes lidhet ndoshta edhe me Trepçën edhe me Tërrnavicen, ku edhe atje ka mbetje e gjurmë të shfrytëzimit të xehes, e nxjerrur në forma bunaresh, çka do të thotë se edhe atje është xeheja sipërfaqësore, çka lë të kuptohet se mund të shfrytëzohet edhe sot në mënyrën më të lehtë, vetëm duhet të ketë organizim të mirëfilltë.

Për Bollosicën është shkruar edhe në kohë shumë më përpara. Po marrim t’ua prezentojmë, disa prej  tyre.

Bollosica, lokalitet xeheror e njohur  në mesjetë, i ngritur në një luginë, jo larg burimit të lumit Llap, 35 km në veri të Besianës. Nga administrata shtetërore quhet   me emrin Bollasicë, dikur edhe Kosovë.  Sot (mahallë, lagje) në kuadrin e fshatit Murgullë.

Në lokalitetin  e Bollosicës janë zbuluar varreza të moçme, pastaj shumë enë e vegla për nxjerrjen dhe shkrirjen e xehes, si dhe rrugët kah është transportuar xeheja.

Sipas disa burimeve është ubifikuar në vendin e qytetit të dikurshëm  të njohur nga Prokopi  me emrin Labuca. Por edhe Labuca ishte ngritur në  vendin e xeherores, e cila shfrytëzohej si në periudhën  parahistorike ashtu edhe në antikë. Qyteti xeheror shtrihej në  afërsi të burimit të lumit Llap dhe mendojmë se ai e mori emrin nga Llabi – Labuca. Këtë emër e ruajti gjatë kohës kur ishte  nën sundimin e Bizantit dhe të Mbretërisë së Bullgarisë[2].

Në dokumente me emrin Vrhlab na paraqitet më  14 shtator 1302, si oborr mbretëror, kur mbreti Millutin lidhi një kontratë për pagë me Dubrovnikun dhe me një diplomë, përsëri i vërtetoi  disa privilegje  që gëzonin më parë. Kjo është hera e parë që në dokumente  përmendet emri Vrhlab – (Kryellapi). Mirëpo, dihet se në shekullin XIII në qytetin xeheror ndodhej edhe kolonia dubrovnikase dhe e sasëve, të cilët edhe  më parë, po sidomos nga shekulli XIII, me siguri gëzonin privilegje për shfrytëzimin e  e xeherores. Edhe në aspektin fetar gëzonin privilegje, nga se aty ishin  së paku tri kisha, me gjasë, katolike, dy për shqiptarët vendës dhe një në koloninë  dubrovnikase. Me sa duket emrin Vrhlab  në burimet serbe  e ruajti deri në vitin 1426[3].

Në shekullin XIII Vrhlab e shenjonte  një kështjellë të periudhës parasllave. Por kjo Vrhlab nuk është konstrukt  të ketë pasur moshë të thellë, as vlerë toponimi, e, edhe më pak  hidronimi, është kjo më parë një sintagmatik deskriptiv dhe,  shumë pak denotativ[4].

Me emrin Bellasicë për herë të parë në vitin 1426, në një dokument arkivor  rreth çështjeve pronësore – juridike, përkatësisht në letrat që tre qytetarë dubrovnikasë i shkruajnë  princit dhe Këshillit në Dubrovnik, duke paditur feudalin Murzhiq. Belasicën dhe dy fshatra të tjera Trebinjen dhe Beçiqin në pronësi të eprorit Radiq, ia ka dhuruar Gjuragj Brankoviqi. Ndërkaq,  në librin e borxhlinjve të tregtarit raguzian Mikel Llukarit, në qytetin e parë të shekullit XV, e ndeshim edhe një borxhli të këtij vendbanimi[5]. Bellasica e kishte edhe prijësin ushtarak, që do të thotë se ishte vendbanim i madh. Gjatë periudhës mesjetare konsiderohej koloni kotorrase raguziane.

Në defterin e Vilajetit Vëllk të vitit 1455, në nahije e Kllopotnikut është i regjistruar fshati  Bellasica me 4 shtëpi dhe 1 e vejë. Nuk jemi të sigurt se a ka të bëjë me këtë vendbanim.

Më vonë, një lokalitet, një xeherore dhe një kadillëk[6] paraqitet në burime të ndryshme  paralelisht me dy emërtime, me emrin Kosova dhe Bellasica, herë si Kosovë e herë si Bellasicë, apo edhe me njërin dhe tjetrin emër. E, që këto dy emërtime – Kosova dhe Bellasica, ishin sinonime, na dëshmojnë shtatë fermanet e gjysmës së dytë  të shekullit XVI. Tri fermane nga vitet 1570-1580, në lidhje me vjeljen e xhelepit (taksë bagëtishë), i drejtohen kadiut  të kazasë së Kosovës, kurse 4 fermane nga vitet  1579-80, 1588, 1595, përkitazi me falsifikimin  e monedhave, xhelepin dhe trazirat, i drejtohen kadiut të kazasë së Bellasicës[7].

Edhe në disa dokumente të tjera përmendet  me emrin Kosova si lokalitet apo si kadillëk. Në një dokument,  thuhet  Kosova është një ndër  qytetet e Kosovës që ra në duar të austriakëve (1689)[8].

Skënder Gashi, përkitazi me këtë vendbanim shkruan: “Ne kemi dëshmuar, nga ana tjetër se katundi i sotëm Bollosicë i Llapit është mbishtresë e emrit të zhdukur Vërhllab të shek. XIV”[9].

Në Bellosicë, atje ku livadhet janë të rrethuara me male të larta, vendi është me përplot gropa-gropa të shpeshta e jo shumë të thella, nga që janë mbushur gjatë kohës, në vendin e quajtur Ërxha e Rudës, kështu quhen nga banorët  mbeturinat e xehes qysh nga koha e romakëve apo edhe më herët si edhe më vonë në këtë vend. Pra, këto mbeturina janë edhe sot e kësaj dite. Shihen se janë gurë të djegur a të sosur, çka merret me mend se këtu ka qenë edhe ndonjë  lloj shkritoreje e xehes qysh në atë kohë, me çka vërtetohet nxjerrja dhe shkrirja e xehes në këtë vend, pra në Bellosicë të Llapit.

Sipas të gjitha gjasave, Kosova si qytet, si lokalitet, si minierë me industri xehetare të zhvilluar , me popullsi xehetare, sikurse edhe qytetet tjera të Kosovës, në fund të shekullit XVII e përjetoi katastrofën e saj.

Për një xeherore  me emrin Kosova, ka shënime që nga defteri  osman i vitit 1498[10]. Ndërsa përkitazi me çështjen e ubifikimit e të identifikimit të qytetit të zhdukur Kosova, që në veprën e Haxhi Kallfës – gjeografit turk, mendimet e veta i kanë dhënë disa dijetarë e historianë. Mirëpo, në këtë rast po e marrim atë të Dr. Muhamet Tërnavës, të cilin po e paraqesim në vijim:  Këtë vendbanim, përkatësisht kadillëk e përmend udhëpërshkruesi i njohur Haxhi Kallfa – Çatib Çelebi në veprën e vetë me titull “Xhuna Numa” (Pasqyra e botës) në gjysmën e parë të shekullit XVII. Ai e përshkruan, duke pohuar se qyteti, përkatësisht kadillëku Kosova gjendet në mes të Prishtinës dhe Kushumlisë, ndërsa larg Stambollit është 19 ditë rrugë udhëtimi.  Qyteti Kosova mund të ketë ekzistuar më herët, që nga fundi i shekullit XV, si vend jo fort i njohur. Ekziston mundësia që ky qytet gjer në shekullin XVII, kur përmendet nga Haxhi Kallfa, sipas të gjitha gjasave të ketë qenë në kuadrin e  Kadillëkut të Llapit. Gjatë shekullit XVII rëndësia e qytetit është rritur, sa që në fillim të shekullit XVII  formohet Kadillëk me emrin Kosova, i cili përfshinte  territorin e dikurshëm të kadillëkut Llap.

Për sa i përket zonës së zhdukjes të këtij kadillëku (qyteti), mund të thuhet sipas të gjitha gjasave, qyteti Kosova është zhdukur nga harta gjeografike për shkak se u shkatërrua plotësisht ose u rrënua plotësisht në vitin 1690, e ajo, si pasojë e luftrave turko-austriake, në të cilën vatër betejash ishte trualli i sotëm i Kosovës.

Rëndësia e ekzistimit të qytetit Kosova është mjaft e madhe mu për atë arsye  se ekziston mundësia  që nga ky qytet të ketë marrë emrin i tërë territori i sotëm i Kosovës[11].

Si vendbanim me emrin Bollosicë është i regjistruar  në Sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 ‘1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900  (1318 h)[12].

Me gjasë, Bellosica mbeti e papopullëzuar pas luftërave turko-austrikae për një kohë, deri me rastin e shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, kur këtu u vendosën të ndjekurit nga fshati Sollovë i Toplicës. Me gjasë këtu u vendos një familje, prej të cilës u shtuan, por të gjitha u shpërngulën pse po mungonin kushtet për jetë, nisur nga rruga, e cila merret si çelësi i jetës.

Në vitin 1921 kishte 4 shtëpi, po tani ato janë bërë me dhjetëra, por asnjëra nuk ka mbetur në Bellosicë.

Bellosicët janë Sollovë, pra të afërm me banorët e Murgullës.

Sinan Musliu : Nje dite e zakonshme pune !

Sinan Hafiz Musliu, i lindur me 24.05.1958, në fshatin Bellosicë të fshatit Murgullë. Katër  klasët e para të të shkolles fillore i ka kryer në Murgullë, ndërsa katër klasat e tjera, nga klasa e pestë e deri në klasën e tetë në fshatin Pollatë, në Shkollën Fillore “Ramiz Sadiku” diku nja 12 kilometra rrugë vetëm në një drejtim, gjithherë këmbë!

Shkollën e mesme, e ka mbaruar në Podujevë në Gjimnazin “8 Nëntori” në drejtimin shkenca shoqerore.

Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, drejtimin: Mjekësi e Përgjithshme.

Specializimin e ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtimi: Mjekësi Emergjente, nën organizimin dhe mbikëqyrjen e Universiteteve: « John H » dhe “Rochester”.

Provimin specialistik gjithashtu e ka mbrojtur para profesorëve të këtyre universiteteve.

Punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinika Emergjente.

Gjatë periudhës 10 vjeçare të okupimit ka punuar  profesor në Shkollën e Mesme të Mjekësisë « Dr. Ali Sokoli » në Prishtinë.

 

Dhjetë vite ka punuar në shërbimin humanitar shëndetësor “Nënë Tereza” në Prishtinë,

ndërsa gjatë periudhës së luftës ka punuar në terren 1 vit e 6 muaj në komunat Drenas, Suharekë, Rahovec dhe Malishevë me ekipin e organizatës UNICEF, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe me mjekët pa kufij “Medicine du Monde”.

Ne morëm shembull punëtorin  nga ky fshat, nga Bellosica e largët prej Podujevës, për të rrëfyer se kur ekziston vullneti për mësim dhe për punë, sa do të vështira kushtet, tejkalohen. Me këtë duam të ftojmë sot të rinjtë me kushte kaq të mirë e të lehta, të mos përtojnë, të mos zhgënjehen se vetëm me punë e me dije fitohet dhe arrihen të gjitha.

Doktor Sinan Musliut i dëshirojmë shëndet, punë të suksesshme e suksese të tjera në lëmin e shkencave mjekësore!

 

Hafiz Musliu, i njohur si Hafiz Bellosica, që me vullnetin më të madh po e dërgonte të birin në shkollim, duke ia plotësuar të gjitjha kushtet e mundshme, për të qenë krenar dikur ai si prind dhe mbarë shoqëria shqiptare. Edhe babai i Sinanit, Hafiz Bellosica shquhej për urtësi, dituri, dashuri atdhetarizmi, e siç shihet, edhe dashamir i arsimimit .

 

EMËRVENEDET E BELLOSICËS

Pikorientimi : Shtëpitë e Bellosicëve në Bellosicë – shtëpia e Hafiz Bellosicës, e Jahirit dhe të tjerëve.

  • Arat e Sahtioviqe, J.
    Arat e Zhegrov’ve, JL.
  • Bojnuzi, L. Fushë. V.
  • Bajçinë, VL. Kujto edhe emrin e sotëm të fshatit Bajçinë mes Podujevës dhe Pakashticës së Poshtme.
  • Bashqja e Kumllave të Sahitëve, JL.
  • Bregu i Lamave t’ Sahitajve, J.
  • Çajri, JP.
  • Çadra, J.
  • Ërxha e Rud’s, P. Livadhe e male. Kështu quhen mbeturinat e xehes qysh nga koha e romakëve, kur me të madhe ishte eksploatuar xeheja në këtë vend. Këto mbeturina duken edhe sot e kësaj dite. Janë në formë të copave të thëngjillit, ngjyrë të zezë, pra janë gurë të djegur, çka lë të mendohet se këtu ka pasur edhe një lloj shkritoreje të xehes atë kohë, deri sa vendi këtu, është me përplotë gropa të vogla e të madha, që shihet se është nxjerrë xeheja.
  • Furra e Qyreqit, JL.
  • Guri (i) Bellosic’s, JL.
  • Gropat e Prellutnikut, P.
  • Gërdeqi, P. Mal ahishte
  • Gropat, V. Livadh.
  • Heija e Osojs t’ Shatoric’s, P. Mal ahishte.
  • Hieja e Gërdeqit, P. Mal

 

  • Kisha, P. Nuk ka mundur të na tregojë askush asgjë për kishën, përveç se ka qenë.
  • Kulla, P. Ende janë muret e kësaj kulle. Vendasit e quajnë Kulla e Romakëve. Është e ndërtuar me gurë si ta bardhë, disi me vrima të vogla, që prej së largut të lë parshtypjen se je duke parë një shpuzë (syngjer), në vend të lloqit ka horoston, prandaj edhe i ka qëndruar dhëmbit të kohës e nuk është shkatërruar. Është e ndërtuar mbi lumin Llap, është e madhe Kulla, sa lidh dy brigjet e lumit Llap, ani pse këtu nuk ka shumë ujë, ai ka vërshuar shpeshherë, por kulla ka mbetur na këmbët e saja.
  • Kroni (i) Prellutnikut V. Ky është kroni nga ku buron lumi Llap. Kishte një gurrë e gurra derdhej në lug. Në këtë lug pinin ujë bagëtia, për ç’qëllim edhe ka qenë bërë lugu[13].
  • Kroni (i) Zharin’s,
  • Kulla e Rovinave, VL.
  • Karolli, VL.
  • Kulla e Zharinave, V. Quhet edhe : Kulla e mretit.
  • Karolli (i) Dushkut. L
  • Zahaqi, VL. Zahaq kemi edh ne fshatin Metehi. Çka do të thotë, nuk e di.
  • Kroni (i) Bajçin’s, VL.
  • Kroni (i) Zahaqit, VL.
  • Krojt e Livadhit t’ Rovinave, L.
  • Kroni (i) Çajrit, J.P .
  • Kroni (i) Syve, P. Ky krua, sipas gojëdhënës, i shëron sytë, prandaj i ka mbetur edhe emri KRONI (I) SYVE.
  • Kroni tu Shpia e Rexhepit, JL.
  • Lumi i Shatoric’s, P.
  • Livadhi (i) Fazlisë, P.
  • Libvadhi (i) Halilit, P.
  • Lumi (i) Kull’s, P. kështu quhet nga vendësit lumi Llap, sepse këtu është një kullë romake e ndërtuar mbi lumë.
  • Livadhi (i) Rovinave, L.
  • Lama e Rrahimit, J.
  • Livadhet e Zhegrov’ve në Rekë, JL.

 

  • Mullini (i) Hafizit, Hafizi është ndër Bellosicët më në zë. Edhe Hafizi, diku në vitet e 1980-ta u shpërngul në Zakut.
  • Mullini i Dytë i Hafizit, P.
  • Mrizi (i) Paj’s, J. Mrizi i drurit panje.
  • Mullini (i) Muratit, JL.
  • Mali (i) Qafs t’ Vulls, J.
  • Mullini (i) Zhegrov’ve, JL.
  • Mullini (i) Hysenit, J.
  • Osoja e Madhe, JL.
  • Osoja e Rrezes t’ Rek’s t’ Bellosic’s, JL. Mal.
  • Prellutniku, P. Livadhe të rrethuara me male në trekufirin Llap- Leposaviq – Serbi. Vend tejet i bukur e romantik, ku jetë këtij vendi i jep kroi që buron në të rrëzuar të trevës së Llapit.  Është një shpatinë  jo shumë e pjerrët me një luginë që posa nis në krye të rrafshinës së pjerrët. Naqtyrë shumë e bukur, po e pashfrytëzuar. Këtru takohen fshatrat Bërqan, Trebi e Murgullë, me mikroregjionin Bellosicë.
  • Kroni (i) Prellutnikut, P. Ky krua është kroi nga i cili formohet lumi Llap, në emrin e të cilit ka marrë emrin treva e Llapît, apo lumi ka marrë emrin nga treva e Llapit, nuk i dihet.
  • Prroni (i) Qafs t’ Trebisë, JL. Trebia është fshat i Serbisë sot, që kufizohet me Bellosicën.
  • Prreoni i Arave t’ Zhegrov’ve, JL.
  • Prroni i Shpiave t’ Zhegrov’ve, JL.
  • Prroni tu Shpia e Rexhepit, JL.
  • Prroni (i) Gërdeqit, L. Gërdeq quhet vendi i thyeshëm, pjerrtësi të madhe, gati pingule.
  • Prroni (i) K’rshave t’ Bellosic’s, JL.
  • Prroni Deri n’ Qaf’ t’ Vulls, JL.
  • Prroni (i) Livadhit t’ Avdisë, J.
  • Prroni (i) Rog’s t’ Smajlit, J.
  • Polaja, VP. Mal ahu.
  • Prroni (i) Osojs t’ Shatoric’s, P. Po ashtu, mal ahishte.
  • Qafa e Prellutnikut, P.
  • Qafa e Zharinave, V.
  • Quka e Rovin’s, L.
  • Qurshiat e Zhegrov’ve, JL.
  • Reka e Vogël, V.
  • Roga e Prellutnikut, P.
  • Roga e Smajlit, J.
  • Rrezja e Osojs t’ Shatoric’s, P. Ahishtë. Krjet këta emra janë në një kompleks, ku kishte drunj shumë të lartë dhe të trashë, që, më vonë si këmi dëgjuar, kanë qenë prerë të gjithë këta lisa të bukur nga vendës e të jshtëm për përfitime parashë.
  • Rrueza e Ërxhës të Xehes, P. Mal e livadhe.
  • Rrezja e Gërdeqit, P. Mal ahu.
  • Shatorica, P. Livadhe.
  • Shpijat e Zhegrov’ve, JL.Vrella e Zhegrov’ve, JL.
  • Shpia e Fetahit, J. Fetahu më vonë u shpërngul në Zakut.
  • Shavazri, JL, Kënetë, moçal.
  • Tuk Janë Myt Kiet, Vend i rrëpishëm. Vend humnerë, ku kanë rënë qetë dhe nuk kanë mundur të dalin nga andej.
  • Udha e Shatoric’s, P.
  • Udha e Osoj’s, JL.
  • Udha e Zhegrov’ve, JL.
  • Udha e Sahitëve, J.
  • Ura e Sahitëve, J.
  • Vorret JL.
  • Vrella e Vorreve t’ Bellosic’s, JL.
  • Vorret e Kish’s, P. Pra, përveç kishës, këtu sikur janë edhe varreyt e Kishës! Do të ishte bukur interesante sikur të hulumtohej e të shihej se çfarë ka aty në ato varreza dhe të cilës kohë, si është bërë mënyra e varrimit, etj. Ia vlen të gjurmohet.
  • Zabeli i Rogs t’ Smajlit, J.
  • Zharina, V. Zharinë quhet diçka që është sosur, djegur. Djegur zhari…

Informatorët :

  1. Mehmet Sinani (Mehmeti i Vocit), bujk, 1902,   analfabet, Marincë, Murgullë.
  2. Hafiz Musliu, Bujk, analfabet, 1912, Bellosicë. Më 12 qershor 1975.

 

 

Presim me dashamirësi vërejtjet, plotësimet dhe këshillat.

[1]  Devrie/-ia f. (ar.däwr – qarkullim, bredhje + suf. – iyyä ; tur. Devriye) ark. Patrullë ; rojë ushtarake.  Mikel Ndreca : Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, 1986, faqe  148.

[2]  Dr. Jusuf Osmani : Vendbanimet e Kosovës – besiana (Podujeva) 17, Prishtinë, 2011, f. 208

[3]  Dr. Jusuf osmani e ka marrë nga : Emil Çershkov, Belasica i Vrhlab, GLASNIK Muzeja Kosova e Metohije, nr. 1/1956, faqe 219-220 ; Dr. Fehmi Pushkolli : Llapi gjatë historisë, faqe  48.

[4]  Dr. Shefki Sejdiu : Gjurmë  lashtësie në onomastikën  e trevës së Llapit. Trashëgimia etnokultuerore dhe historike  e Llapit, Prishtinë, 1995, faqe 218.

[5]  HAD  Acta concikli Minoris III. Fal. 158 V8.04.1424 : Dr. J. Drançolli, Raguzianet në Kosovë

[6]  Kadillëk-u, m. (ar. Qadi, qadim – gjykatës + tur. Suf.  –lik ; tur. Kadilik) titull i kadiut, sundimi i kadiut. Mikel Ndreca : Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, 1986, faqe  362..

 

[7]  Dr. Jusuf osmani : VENDBANIMET … f.209.

 

[8]   Dr. Jusuf Osmani, po aty, faqe 209.

[9]   Dr. Skënder gashi, « Fjala », nr.  15. 9. 1976, fq. 20. Dr. Jusuf Osmani, Vendbanimet… f. 209.

[10]  Dr. Skënder Rizaj, Rudarstvo Kosovo… f. 165. Shih edhe tek Dr. Jusuf Osmani : Vendbanimet e Kosovës…, fq. 210.

[11]  M. Tërnava : Kur dhe ku ka ekzistuar qyteti Kosova, « Rilindja », Prishtinë, 20. 3. 1971.

[12]  Dr. Jusuf Osmani, Vendbanimet… f. 210.

[13]  E kemi fjalën për kohën kur ne e patëm vizituar këtë anë, më 12. 6. 1975.