Në mesditën e së premtes një punëtor i Kompanisë Regjionale “Pastrimi” në Prishtinë pësoi aksident në vendin e punës.
Punonjësi Rrahman Hetemi, i cili ishte duke salduar brenda në një automjet që bën bartjen e mbeturinave, lëndimet i mori nga një pjesë e asaj makinerie të rëndë, njofton Klan Kosova.
Kryeshefi i kësaj kompanie publike, Burim Kelmendi, tregon se salduesi kishte mbetur i mbyllur brenda kamionit, ku i njëjti kishte kërkuar ndihmë nga kolegët.
Si shkak i kësaj, 45-vjeçari mori lëndime serioze dhe po trajtohet në Klinikën Emergjente në QKUK.
Deri më tani, sipas mjekes emergjente në Klinikën Emergjente në QKUK, Vjollca Haklaj, pacienti është diagnostikuar me një thyerje të unazës së boshtit kurrizor dhe se dyshohet për dëmtime tjera të brendshme.






