Një i mitur ka pësuar lëndime trupore, pasi i njëjti sot është rrëzuar gjatë ngasjes me trotinek elektrik, në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, raporton Llapi.info.

Burime të Llapi.info kanë bërë të ditur se i njëjti ka pranuar tretman mjekësor, derisa në vendin e ngjarjes kishin mbërritur edhe autoambulanca.

Mësohet se i mituri nuk ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ndryshe, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi javë marrë parë ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të motoçikletave, biçikletave, trotineteve elektrike e mjeteve tjera të ngjashme brenda hapësirës së Bulevardit të qytetit.

Siç thuhet në këtë vendim, kjo është bërë me qëllim të parandalimit të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve në Bulevardin e qytetit.

“Masa e ndalimit të ngasjes së mjeteve sipas nenit 1 bëhet për shkak të pengimi të qarkullimit të lirë të qytetarëve në Sheshin/Bulevardin e qytetit dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve, si dhe të evitimit të ndonjë dëmi eventual. Për zbatimin e vendimit kujdesen Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe Drejtoria e inspeksionit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës”, thuhej në vendimin e Bulliqit.

Madje, në këtë vend janë vendosur edhe shenjat që ndalojnë qarkullimin e trotinetëve elektrikë, biçikletave dhe motoçikletave në sheshin e Podujevës, por një gjë e tillë nuk po respektohet në vazhdimësi./Llapi.info