Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një intervistë për Insjaderin ka folur edhe për punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë.
Lekaj ka thënë se punimet në këtë rrugë nacionale duhet të kryhen në afat.
“Unë mendoj se për magjistralen Prishtinë-Podujevë duhet ta kryejmë në afat, çfarë është në kontratë dhe nuk do të tolerojë. Mendoj se brenda dy viteve do të përfundoj projekti, dhe po ashtu edhe në magjistralen për Mitrovicë brenda 30 muajsh do të përfundojë projekti. Meqë janë fondet arabe, segmenti i parë i kësaj rruge veç është përfunduar; segmenti i dytë do të përzgjidhet brenda dhjetë ditësh operatori ekonomik dhe tash na mbetet vetëm segmenti i fundit dhe që të përfundojë kjo rrugë”, ka thënë Lekaj.
Më tej ai ka shtuar se në rrugët lokale, për herë të parë Komunat janë ndihmuar me buxhet prej 42 milion euro.
“Nuk ka shtet të zhvilluar pa infrastrukturë të zhvilluar, më vjen mirë që u kemi ndihmuar të gjithë kryetarëve pa dallime politike. U kemi ndihmuar të gjithë Komunave merre Pejën, Podujevën dhe të gjithë Komunat pa dallime partiake u kemi ndihmuar”, ka thënë ai në intervistë, transmeton Llapi.info.
Ministri, Pal Lekaj, ka folur edhe për autostradën “Arbën Xhaferri”, autostradën “Prishtinë-Gjilan” dhe për pagesën prej 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel Enka.
Ministri Lekaj është shprehur se Ministria e Infrastrukturës do të aplikojë “penallti” ndaj kompanisë amerikane nëse punimet për autostradën “Arbën Xhaferri” nuk do të përfundojnë siç është paraparë në kontratë, deri më 31 dhjetor. Megjithatë, ka thënë se në këtë projekt po punohet me intensitet të lartë.
“Nëse nuk kryhen obligimet në bazë të kontratës kemi të drejtë që si punëdhënës të kërkojmë buxhet, në atë kuptimin ta padisim kompaninë Bechtel Enka dhe të shkaktojmë penallti për shkak se të njëjtën e ka bërë Bechtel Enka tek ne”, ka thënë pos tjerash Lekaj./Llapi.info






