Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka paralajmëruar protestë si shenjë revolte për zvarritjen e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë, raporton Llapi.info.
Këshilltarja e LDK-së, Tringë Sfishta, në mbledhjen e sotme ka thënë se kjo protestë do të mbahet të dielën, ku për 30 minuta do të bllokohet qarkullimi në këtë magjistrale.
“Humbja e jetës së dy të mërgimtarëve sot është tragjike. Kjo rrugë lirisht mund të thirret rruga e vdekjes. Solidaritet për ata që pësuan, e protestë ndaj mosgatishmërisë për përfundimin e kësaj rruge. Ky shqetësim nuk duhej të merrej me ngjyrim politik. Në shenjë revolte për mos-finalizimin e këtij projekti, të dielën nga ora 12:00 tek rrethi në Siboc do të organizojmë protestë, duke bllokuar qarkullimin në këtë magjistrale. Ftojmë të gjithë kuvendarët, deputetët llapjanë dhe qytetarët tjerë, në këtë revoltë”, ka thënë Sfishta.
Ndryshe, sot dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, derisa dy të tjerë janë në trajtim në QKUK./Llapi.info