Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie ka treguar arsyet e refuzimit për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme.
Për LDK-në, veprimet e djeshme të institucioneve ishin dështim dhe të pakoordinuara me aleatët.
“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Derisa, ftesën e sotme nga presidentja, LDK po e sheh si ftesë për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë.
“Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj”, thuhet tutje në komunikatën e LDK-së.