Lidhja Demokratike e Kosovës i është gëzuar reagimit të Komunës së Podujevës për pastrimin e lumit Llap, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, LDK ka kërkuar nga organet komunale që të mos i presin reagimet e mediave dhe opozitës – por që, siç thuhet, komuna t’i përmbushe obligimet e saj.
“Pas reagimit tonë për gjendjen e mjerueshme të shtratit të lumit Llap si pasojë e papastërtisë, sot ka reaguar Komuna e Podujevës, duke angazhuar kompani për pastrimin e shtratit të lumit. I gëzohemi reagimit të komunës, duke uruar që në rastet tjera mos të pritet reagimi i mediave, qytetarëve dhe subjekteve opozitare por t’i përmbush obligimet karshi kompetencave që ka. Si opozitë dhe si subjekti më i madh politik në kuvendin komunal përherë do të jemi adresë e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve llapjanë”, thuhet në postim.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pak më parë ka bërë të ditur se ka nisur pastrimi i lumit përgjatë shtrirjes.
Sipas tij, ngritja e temperaturave ka bërë që të bie niveli i ujit, për çka, siç ka thënë ai, ka ndikuar që të grumbullohen mbeturinat./Llapi.info