Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për “Pakon për Përballjen me Inflacionin”, duke thënë se kjo pako është joefektive dhe diskriminuese, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Mustafa tha se këto masa të qeverisë nuk janë të planifikuara mirë, ashtu si masat e kaluara.

“Qeveria paraqiti një pako të re, në panik e sipër pa ndonjë konsultim, pako që është jo efektive dhe diskriminuese. Shumica e masave janë të vonshme, dhe nuk janë të planifikuara mirë, sikurse masat e kaluara të kësaj Qeverie”, u deputeti i LDK-së.

Ai tutje tha se Qeveria Kurti injoroi sektorin privat të cilët janë kontributdhënësit më të mdhenj të ekonomisë, ndërsa të papunët i injoroi tërësisht.

“Për LDK-në ky është veprim në panik i kësaj Qeverie. Qeveria ka vendosur të injorojë të punësuarit në sektorin privat, të cilat janë kontributdhënësit më të mdhenj të ekonomisë tonë. Nga ta kjo Qeveri vetëm merr, e nuk ju jep. Asnjë cent po ashtu nuk u dhanë as të papunëve, pra ata që nuk kanë asnjë të hyrë, Qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht”, shtoi ai.

Sipas LDK-së, “kjo qeveri nuk çan kokën fare për barazi, sidomos kur shpërndan para publike”.

“Do të përfundojmë këtë vit me një përqindje qesharake të shpenzimeve kapitale. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti nuk u realizuan as 10% të investimeve kapitale”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.