Grupi Parlamentar i LDK-së përmes një komunikate për media ka reaguar pas publikimit të video-incizimit në të cilën shihet ajo çfarë ka ndodhur dje në një prej holleve të Kuvendit pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.
Nga LDK thonë se në video shihet qartë se në hollin e Kuvendit ka pasur vetëm përpjekje për bisedë e cila sipas tyre më pas është shndërruar në histeri për sulm fizik.
“Nga incizimi i publikuar sot në medie, shihet qarte se dje, në hollin e Kuvendit të Kosovës, një përpjekje për bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik. E kemi thënë edhe dje, para qytetarëve dhe para organeve kompetente se në asnjë moment, nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar”, thuhet në reagim.
LDK thotë se përmes kësaj videoje të publikuar, hidhet poshtë gjithçka që u pretendua dje nga deputetët e VV-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është themeltare e mendimit të lirë e rendit demokratik në Kosovë dhe e çmon lart raportimin e drejtë, të paanshëm e profesional të medieve. Por, pas daljes në shesh të së vërtetës, shihet qartë se ende ka tendencë dhe përpjekje për ta prezantuar situatën e djeshme në favor të atyre që akuzuan dhe linçuan për motive të pastra politik”, përfundon njoftimi.






