Më 29 shtator, Vetëvendosja pritet ta mbajë protestën e rradhës të paralajmëruar tash e sa kohë. Ndryshe nga herat e kaluara, ky subjekt tani pritet të protestojë i vetëm, pa përkrahjen e partive tjera opozitare.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ditë më parë deklaroi se partia e tij nuk konsideron se tani është koha për protesta, shkruan lajmi.net.

“Nuk e konsiderojmë që tash kemi nevoje të dalim në rrugë dhe të protestojmë për këto çështje. Në qoftë se në ndonjë moment të caktuar LDK do të vlerësojë se ka ardhë koha, sepse ndryshe s’po munden të korrigjohen disa çështje, ne atëherë do të marrim përgjegjësinë për ato protesta”, kishte thënë ish-kryeministri Mustafa para gazetarëve.

E qëndrimeve të kryetarit të tyre nuk po u binden disa zyrtarë të lartë të LDK-së.

Deputeti i këtij subjekti, Haxhi Avdyli, është ende në mëdyshje nëse do të marrë pjesë apo jo në këtë protestë.

Ai për lajmi.net tha sot se qëndrimin e tij do ta bëj publik më vonë gjatë ditës.

“Qëndrimin tim personal do ta bëj publik më vonë gjatë ditës”, ka thënë Avdyli duke refuzuar të përgjigjet nëse edhe deputetë të tjerë të këtij subjekti do t’i bashkangjiten tubimit të Vetëvendosjes të shtunën.

Se deputetë të LDK-së mund të marrin pjesë në protestë, nuk po e përjashton as deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi.

Ai për lajmi.net tha sot se protesta e organizuar nga subjekti ku ai bën pjesë nuk është protestë partiake, dhe e njëjta sipas tij i takon popullit.

Kurteshi po ashtu tha se nga ato që ka ndëgjuar, pritet që edhe deputetë të LDK-së të marrin pjesë.

“Kjo protestë nuk është partiake, është gjithëpopullore, prandaj janë të mirëseardhur të gjithë ata që e konsiderojnë të dobishme. Personalisht nuk kam konfirmin nga ndonjë deputeti , por bazuar nga ato që i kanë thënë kolegët tjerë, do të ketë deputetë që do të marrin pjesë në protestën e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurteshi.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që deputetë brenda LDK-së dalin kundër qëndrimeve të partisë së tyre.

Kohë më parë edhe deputetja, Teuta Rugova, kishte marrë pjesë në një udhëtim zyrtar të delegacionit të Kuvendit, pa miratimin dhe përkrahjen e LDK-së.

Ajo madje kishte marrë pjesë edhe në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës për votimin e ekipit negociator, megjithëse LDK-ja e kishte lëshuar sallën.