Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi kanë theksuar se në tryezën e përbashkët të partive politike nuk është diskutuar çështja e zgjedhjeve.

Ata këto komente i kanë bërë pas takimit të zyrtarëve të partive politike në takimin e përbashkët të thirrur nga LDK-ja, duke theksuar se këto takime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu tha se ky takim nuk është ftuar për të folur rreth datës së zgjedhjeve të ardhshme.

“Por e kemi ftuar këtë tryezë për të bërë përpjekje me gjetë zgjidhje për temat që janë në interes të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëndrimet e LDK janë të njohura dhe vendi është në krizë institucionale, duke shtuar se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet, sepse momentalisht i ka vetëm 52 vota.

Në anën tjetër, nënkryetari i PDK-së, Memli Kransiqi ka theksuar se janë dakorduan që të vazhdojnë takimet e partive politike, për tu arritur një konsensus për temat e mëdha.

Ai ka theksuar se PDK mendon që ky mandat qeverisës duhet të shkojë deri në fund të mandatit, sepse sipas tij, vendit i duhet një Qeveri stabile dhe një opozitë e fuqishme.

“Nuk kemi nevojë as hapësirë për zgjedhje të parakohshme. Nëse partitë kanë interes me shku në zgjedhje, atëherë ne jemi të gatshëm. Asnjë parti nuk mund të thotë jam serioze dhe nuk jam e përgatitur të shkojë në zgjedhje”, ka shtuar Krasniqi.