Teksa në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdojnë seancat për rastin e njohur në opinion si “Veteranët”, kjo kategori po vazhdon nga muaji në muaj t’i kushtojë mjaft shumë buxhetit të shtetit.
Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhojnë të gëzojnë beneficione nga shteti i Kosovës, shkruan lajmi.net.
Çdo muaj, mbi 38 mijë veteranë marrin pensione në emër të kontributit të tyre në luftën e fundit në Kosovë.
Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm që marrin këto pensione, konsiderohet se këtë e bëjnë jashtëligjshëm, për shkak se të njëjtit nuk kanë qenë farë pjesë e UÇK-së.
Sipas prokurorisë, konsiderohet se rreth 19 mijë persona marrin kundërligjshëm pensionin e veteranit të UÇK-së, dhe rrjedhimisht ata konsiderohen si “veteran të rrejshëm”.
Faik Zogaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash e disa kohë ka nisur një iniciativë për largimin vullnetar nga listat e veteranëve të rrejshëm.
Për lajmi.net, Zogaj thotë se kjo iniciativë ka pasur deri diku sukses, teksa vullnetarisht janë larguar 13 persona.
“Deri tani, vullnetarisht që të largohen i kemi bindur 13 persona. Iniciativa ka pauzuar pak për shkak të tërmetit në Shqipëri, por besoj që shumë shpejtë do e rifillojmë”, ka thënë Zogaj për lajmi.net.
Kjo iniciativë siç duket ka ndikuar pozitivisht, për shkak se një numër i caktuar i personave që marrin pension jashtëligjshëm si veteranë, janë paraqitur në OVL për t’u tërhequr vullnetarisht nga listat, pra, rrjedhimisht numri i atyre që janë larguar nga këto lista në mënyrë vullnetare është më i madh se 13.
Megjithatë, largimi i disa emrave nga kjo listë e përfituesve, nuk është se po ka impakt të madh në buxhetin që po shpenzohet çdo muaj për këtë kategori.
Në statistikat e ofruara për lajmi.net nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është bërë e ditur se vetëm këtë vit, për pensionet e veteranëve të UÇK-së, janë hargjuar nga buxheti i shtetit hiç më pak se 70 milionë e 384 mijë euro.
Nga numrat që shihen, vërehet se krahasuar me muajin tetor, në muajin nëntor pensione kanë marrë rreth 67 veteranë më pak.
Shuma e shpenzuar këtë muaj nga buxheti i shtetit për këtë kategori është 6 milionë e 381 mijë euro, krahasuar me muajin tetor, ku ishin shpenzuar 6 milionë e 390 mijë euro.
Më së shumti para përgjatë këtij viti, për veteranët u paguan në muajin prill, saktësisht 6 milionë e 423 mijë euro.
Të dhënat në formë tabelare.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinë, kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.
Pikërisht çështja e aktakuzës ishte shndërruar në një temë debati pas dorëheqjes së prokurorit që e kishte në dorë këtë lëndë, Elez Blakaj, i cili më pas ishte larguar drejt SHBA-ve.
Së fundmi, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ku janë dëgjuar dëshmitarët.
Dje ka dhënë dëshminë e tij edhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, i cili në cilësi të dëshmitarit në seancë gjyqësore është intervistuar për rreth tri orë.