Policia e Kosovës ka dhënë detaje tjera për zjarrin e madh që shpërtheu mëngjesin e sotëm në Peran të Podujevës, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, një mobilieri është përfshirë nga flakët, e cila gjendet sipër një pompe të derivateve.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në fshatin Peran të Podujevës. Nga zjarri fillimisht dyshohet se është përfshirë një dyqan (mobileri), në katin e sipërm të një pompe derivatesh dhe më pas zjarri ka filluar të marr përmasa më të gjera të shpërndarjes, duke përfshirë edhe pompën e derivateve. Në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale, nuk është raportuar për persona të lënduar. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit, policia, të cilët kanë bërë lokalizimin e zjarrit si dhe evakuimin e personave të atë zonë. Bazuar në vlerësimet nga terreni, në vend ngjarje janë angazhuar zyrtarë të FSK-së, KEDS-it, zyrtari i komunës për hetimin e shkaqeve të zjarrit, të cilët në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin janë marrë me rastin. Pas hetimit preliminar, në koordinim me prokurorin e shtetit, është arrestuar një person i dyshuar, i cili është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është inicuar rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ka njoftuar PK./Llapi.info






