Në shkollat fillore dhe të mesme të Podujevës pritet që nesër të nis viti i ri shkollor, raporton Llapi.info.
Nëpërmjet njoftimeve është bërë e ditur se ky vendim është marrë në konsultimin e bërë me Drejtorinë e Arsimit në Podujevë.
Deri më tani, shkolla e teknikës “Fan S.Noli”, gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, shkolla “Xheladin Rekaliu”, kanë bërë thirrje tek prindërit që t’i çojnë nesër fëmijët në mësim.
“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë. Konsiderojme qe vendimi i djeshëm i qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë pozitivisht të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për nxënësit, të cilët edhe ashtu janë prekur nga humbjet të cilat u shkaktuan në dy vitet e fundit nga pandemia me virusin Covid-19”, thuhet në njoftimin e gjimnazit.
“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë të gjithë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë dhe njëkohësisht të fillojë procesi mësimor. Vendimi i djeshëm i qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për fëmijët tanë. Drejtoria e shkollës”, thuhet në njoftimin e shkollës “Xheladin Rekaliu”.
Një gjë të tillë pritet ta bëjnë edhe shkollat tjera të kësaj komune./Llapi.info






