Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi ka dalë në përkrahje të bashkëlojtarëve të tij para ndeshjes me Moldavinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova do të ndeshet sot me Moldavinë në kuadër të ndeshjes së parë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.
Takimi është paraparë të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në Ennio Tardini të Parmas në Itali dhe dy ekipet janë gati.
Kosova pritet ta ketë një mungesë të madhe për këtë takim, pasi sulmuesi prizrenas, Vedat Muriqi është i lënduar.
Megjithatë, shtatlarti i Fenerbahces ka dalë në përkrahje të bashkëlojtarëve, duke i motivuar para fillimit të ndeshjes.
Muriqi ka shfrytëzuar profilin e tij privat në Instagram për të sjellë një fotografi nga stadiumi i stërmbushur me “Dardanë” derisa ka shkuar “Forca Kosova”.
Ai gjithashtu ka postuar edhe një fotografi tjetër ku shkruan: “Besa-Besë”.
Sulmuesi pritet të rikthehet te Kosova në tetor në sfidën ndaj Maqedonisë së Veriut.