Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Albin Gashi, ka reaguar pas deklaratës së anëtarit të Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqit, i cili ka thënë se ai e ka sulmuar atë për arsye politike.

Gashi ka mohuar se kjo ka të bëjë diçka me politikë, transmeton Telegrafi.

“Unë besoj që kam ku me u deklaru a është e vërtetë e jo, nuk është politike. Nuk ka ndodhë në Kuvend, unë nuk kam asgjë me të politike, mirëpo ai ka diçka personale me mua”, tha shkurtimisht Gashi në Klan Kosova.

Ndryshe, anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi ka thënë se tashmë rastin e ka paraqitur në Policinë e Kosovës dhe se ekzistojnë pamjet kur ai është sulmuar nga Gashi.

“Para 3 vitesh, në një situatë afeksioni unë vetë e kam sulmuar fizikisht një bashkëbisedues në debat politik. Menjëherë pas atij rasti pata folur dhe shprehur keqardhje. Sepse nuk besoj në dhunën fizike si mjet për asnjë qëllim politik dhe të çfarëdo llojit tjetër. Sot e asaj dite ndjej keqardhje dhe turp sa herë që dikush ma përmend atë rast. Sepse sot e asaj dite nuk besoj që dhuna fizike është sjellje e pranueshme politike e sociale.U sulmova fizikisht nga Albin Gashi, kandidat i VV-së për deputet, dhe djali i avokatit Tomë Gashi, dhe nuk ia ktheva. Sepse sulmin që e pata bërë në afekt në debat televiziv, u pata zotuar që nuk do ta përsëris asnjëherë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /