Qeveria e Kosovës, ne mbledhjen e mbajtur dje, ka marrë disa vendime, shkruan Llapi.info.
Njëra prej tyre lidhet me Podujevën. Në këtë mbledhje, Qeveria Kurti ka vendosur shqyrtimin e mëtejmë për shpronësimin e disa pronave në Livadicë, ku do të ndërtohet Zona ekonomike industriale.
“U miratua vendimi i shqyrtim të mëtejmë për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Livadicë të Komunës së Podujevës, të cilat preken nga ndërtimi i Zonës Ekonomike Industriale në këtë komunë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishte shprehur se ky projekt do ta transformojë Podujevën, ku është projektuar me 49 parcela.
“Është projekti që transformon dhe zhvillon komunën. Duke qenë në kufi dhe buzë rrugës që lidhin Kosovën me Evropën, ky projekt do ta shndërroj Podujevën në portën e zhvillimit industrial të të gjithë vendit. Zona Industriale e projektuar në 49 parcela, me hapësira nga 6000 në 7000 metra katrorë, do të ofroj gjithë infrastrukturën dhe hapësirën e nevojshme për prodhuesit tanë, për afaristët nga mërgata dhe gjithë investitorët e huaj që duan të investojnë në Podujevë. Realizimi i zonës do ta transformoj ekonominë tonë, duke krijuar vende pune për të rinjtë e komunës sonë. Në kuadër të zonës do të zhvillohen veprimtari të ndryshme, me theks në industrinë përpunuese, servise dhe shërbime, shoëroome për bizneset prodhuese ekzistuese etj. Do të ketë gjithashtu hapësira për rekreacion, parqe, gastronomi dhe hapësirat për administratën e zonës”, pati shkruar ai, duke publikuar edhe pamjet se si do të duket./Llapi.info






