Komuna nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina” për ndërtimin e Ujësjellësit për fshatrat Bellopojë, Llugë, Orllan dhe në rrethinë të Komunës së Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Sot gjatë ditës Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi ka pritur në zyre kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, në këtë takim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projektin “Rehabilitimi dhe vazhdimi i ndërtimit të Ujësjellësit për fshatrat Bellopojë, Llugë, Orllan dhe në rrethinë të Komunës së Podujevës”.

Ky projekt i cili ka një vlerë prej 235 mijë euro, Qeveria e Kosovës do të participoj me shumë prej 150 mijë euro, Komuna e Podujevës me shumë prej 60 mijë euro, si dhe KRU Prishtina do të participoj me vlerë prej 25 mijë euro.

Kryetari Bulliqi u zotua se do të jenë gjithmonë të hapur si institucione lokale për bashkëpunime me të gjithë akterët për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Podujevës, njëkohësisht tha se është shumë i lumtur që banorëve të këtyre fshatrave po iu realizohet kërkesa e kahmotshme për furnizim me ujë të pijes.