Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është pajtuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se vazhdimi i dialogut është prioritet.
Në një postim në Twitter, Lajçak ka thënë se dialogu duhet të çojë në normalizim raportesh e të hapë rrugën evropiane për vendet.
“Faleminderit Isa Mustafa për bisedën konstruktive për situatën aktuale politike, përgjigjen ndaj COVID-19, dhe për pritjet për të ardhmen për Kosovën. Jemi pajtuar se vazhdimi i dialogut është prioritet. Duhet të shpije në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e të përshpejtojë progresin në rrugën e tyre evropiane”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.
Në anën tjetër, LDK-ja përmes një njoftimi për media ka thënë se Mustafa është shprehur në këtë bisedë se partia e tij do të pranojë dhe respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Në njoftim thuhet se “Mustafa foli edhe për prioritetet dhe orientimet e Qeverisë së re; rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik; luftën kundër Covid-19; sundimin e ligjit; korrupsionin e çështje tjera me rëndësi”.
“LDK-ja është e fokusuar që dialogu të fillojë shpejtë dhe të rezultojë me njohje reciproke, dhe të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi. LDK do të vazhdojë të punojë fuqishëm për integrimin evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në BE”, thuhet në njoftim të LDK-së.
Lajçaku ditë më parë bisedoi edhe me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.
Pak kohë më parë, Lajçaku deklaroi se çështja e shkëmbimit të territoreve s’do të jetë në rend dite në dialogun Kosovë-Serbi.






