I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka biseduar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe për situatën me pandeminë Covid-19.
Lajçaku në Twitter njoftoi se bisedat me dy politikanët kanë qenë të frytshme.
“Kam vazhduar diskutimet me liderët politikë në rajon. Bisedova me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Goran Rakiqin. Kemi pasur biseda konstruktive lidhur me rinisjen e dialogut, dhe reagimet ndaj Covid-19 dhe ndihmave të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.
Lajçaku dje ka biseduar gjithashtu edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin dhe kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.