Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në ditën e fundit të vizitës së tij në Prishtinë, ka përmbledhur në një konferencë për media atë se çka ka diskutuar me politikanët kosovarë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
Lajçaku, derisa ka vlerësuar se janë krijuar kushtet për të rifilluar dialogu, tha se ky dialog duhet zhvilluar mbi politikën.
“Ky është fundi i vizitës sime të parë në Kosovë si i dërguar special i BE-së. 27 vendet anëtare të BE-së fillimisht dërguan sinjal për angazhimin në Kosovë e rajon. Sa herë që bëj diçka përpiqem ta bëjë 100 për qind, prandaj jam i përkushtuar që të rifillojmë dialogun dhe t’iu ndihmoj palëve në marrëveshje që do të normalizonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi, me një marrëveshje të qëndrueshme dhe të pranueshme”, tha Lajçaku, raporton KOHA.
Gjatë këtyre ditëve, tha Lajçaku, zhvilloi takime konstruktive dhe të dobishme me liderët partiakë.
“Në takimet e mia theksova se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog dhe dialogu duhet të vendoset mbi politikën, ashtu edhe integrimi evropian duhet vendosur mbi politikën. Dialogu duhet filluar me shpejtësi. Folëm edhe për hapa konkretë, data e prioritete. Jam i lumtur që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është prioritet. Pres që dialogu të rifillojë së shpejti”, tha tutje Lajçaku.
Lajçaku tha se temat e ngjashme do t’i diskutojë edhe në Beograd.
“Meqë do ta vizitojë Beogradin javën e ardhshme, këto do t’i diskutojë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq e më pas do ta caktojmë datën e saktë. Jam i lumtur për vendimin se mallrat mund të lëvizin pa problem. Po largohem nga Kosova me një siguri se janë krijuar kushtet për dialog”, tha ai.
“Kosova është pjesë e Evropës. Problemet dhe sukseset tua janë e dhe tonat. Rruga drejt BE-së shkon përmes këtij dialogu, dhe kjo është theksuar në Rezolutën e OKB-së në vitin 2010. Dua që Kosova të ecë përpara në këtë rrugë”, tha Lajçaku.
Të martën Lajçaku është takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Lajçaku të mërkurën takoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Më vonë gjatë ditës, Lajçak u takua edhe më përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare shqiptare.
Po ashtu, i dërguari i BE-së u takua edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë në Kosovë.
Me të ardhur në Prishtinë, ai ka deklaruar që “përparimi i Kosovës në rrugën evropiane bëhet vetëm përmes BE-së dhe ka paralajmëruar rinisjen e procesit të dialogut në Bruksel”.
Lajçak ka arritur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.