Testimi për Covid-19 në laboratorin “Medical & Laboratory Services” i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, që po kushton hiq më pak se 200 euro, ka nxjerrë në pah edhe mos koordinimin ndërmjet ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryeministrit Avdullah Hoti, raporton Gazeta Blic.
Derisa kryeministri ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që të ndërmarrë masa, nga Ministria e Shëndetësisë e kanë arsyetuar çmimin prej 200 euove.
“Situata e pandemise nuk guxon te perdoret per perfitime jashte normave te ekonomise se tregut. Autoriteti Kosovar i Konkurrences eshte ne krye te detyres dhe do te zbatoje ligjin shpejt dhe me efikasitet te plote ndaj te gjtheve pa perjashtim. Raportoni rastet”, kushte shkruar në mëngjes Hoti.
Pak më vonë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një sqarim për media, që bie në kundërshtim me deklaratën e kryeministrit.
Ministria e Shëndetësisë në sqarimin e saj e ka arsyetuar laboratorin duke thënë se testi që është realizuar në këtë laborator është një lloj tjetër më i shtrenjtë dhe varet prej qytetarëve nëse duan ta bëjnë apo jo.“Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro.
Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj”, thuhet në sqarimin e MSH-së.






