Një rast i pazakontë vjedhjeje është regjistruar të shtunën pasdite në Fushë Kosovë, ku një zyrtari policor i është vjedhur vetura personale në parkingun e një pike karburanti.
Sipas burimeve të besueshme, rreth orës 13:50 të datës 25 tetor 2025, Policia ka marrë informatën se në rrugën e Pejës – Bresje, konkretisht te parkingu i “Hib Petrol”, është vjedhur një veturë e tipit “Golf 4” me ngjyrë të kaltër.
Nga deklarimi i viktimës, i cili është zyrtar policor, mësohet se ai e kishte parkuar veturën rreth orës 13:20, duke lënë çelësat brenda saj. Vetëm pas 20 minutash, kur ishte kthyer në vendin e parkimit, kishte vërejtur se vetura ishte zhdukur.
Në bashkëpunim me menaxherin e “Hib Petrol”, janë shikuar pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet një person i panjohur teksa hyn në veturë dhe largohen me shpejtësi në drejtim të rrugës së Pejës.
Njësia e hetimeve është angazhuar për identifikimin e autorit, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, është inicuar rasti “Vjedhje” dhe hetimet janë në zhvillim për gjetjen e veturës dhe arrestimin e autorit të dyshuar.






