Lokale - eSIMy

Llapi.info ka raportor vazhdimisht që nga rasti kur kishte ndodhur rrahja brutale ndaj L.F., i cili vdiq në QKUK  nga plagët e marra.

Rastin e pati bërë të ditur vetë Policia e Kosovës, ku ishte thënë se viktima ishte therur me thikë.

“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raportin e PK-së.

Por, prej kur portali Llapi.info, pati cituar këtë raport të PK-së, familjarë dhe miq të 18-vjeçarit, e kanë cilësuar si jo të vërtetë këtë raportim. Kjo vërtetohet edhe në videot e publikuara nga mediat.

Sipas tyre, në këtë rast nuk ishte përdorur thika. Ata kanë thënë se dy persona fillimisht e kishin goditur me veturë, e më pas e kanë sulmuar me mjete të forta.

I njëjti tash e gjashtë ditë ishte duke u trajtuar në Mjekim Intensiv dhe kishte lëndime të rënda në kokë. Kështu ka deklaruar mjekja kujdestare në QKUK, Agreta Gashi.

“Pacienti i moshës 18-vjeçare ka qenë duke u trajtuar në Mjekim Intensiv tash e gjashtë ditë. Është pranuar si pasojë e lëndimeve që i ka marrë nga rrahja me mjet të fortë. Ka pasur lëndime të rënda në kokë. Është operuar në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe sot ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Gashi.

Në lidhje me vdekjen e të riut ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili tha lajmi dhe rrethanat e vdekjes i kanë të gjithë./Llapi.info