Gazeta Sinjali raportoi sonte ekskluzivisht për të shtënat me armë zjarri, në një restorant në Veri të Mitrovicës, ku dyshohet se u përfshi një zyrtar policor me vëllezërit e tij. Hetuesit e Inspektoratit Policor tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur informacione në lidhje me këtë konflikt ku përdorën armët.

Kush është polici i dyshuar, i përfshirë në këtë rast?

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se zyrtari policor i dyshuar për këtë rast është Miodrag Janicijevic.

Ndonëse ende nuk ka të arrestuar në lidhje me të shtënat, nga IPK deklaruan për Sinjalin se veprimet tjera do të merren ne koordinim me Prokurorinë.

“Ju konfirmojmë se IPK është njoftuar për këtë rast dhe se hetuesit tanë janë në vendin e ngjarjes. Veprimet tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorin kompetent dhe autorizimet ligjore të IPK-së.”

Ndryshe, sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se zyrtari policor i dyshuar, jashtë detyrës zyrtare ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve të tij.

Sipas informatave të para, para se polici ta shkrepte armën, e që ka mundësi ta ketë përdorur në vetëmbrojtje, vëllezërit e tij kanë gjuajtur fillimisht me armë gjuetie.

Deri më tani, sipas sinjalizuesit nuk ka persona të arrestuar, teksa dy vëllezërit e zyrtarit policor kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe ndodhen në arrati.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.