Edhe një mërgimtar nga Podujeva, i cili jeton në Gjermani, ka dhuruar mijëra euro për Fondin e Sigurisë së Kosovës, raporton Llapi.info.
Bëhet fjalë për drejtorin ekzekutiv të klubit nga “Zahir Pajaziti”, KF Llapi, Bejtush Batatina. Ai ka transferuar sot edhe zyrtarisht 5.000 mijë euro në xhirollogarinë e hapur nga Qeveria e Kosovës.
“Drejtori Ekzekutiv i K.F. Llapi, z. Bejtush Batatina, pronar i kompanisë zvicerane “Perfekta Reinigungen Bern” ka kontribuar me 5,000 Euro për Fondin e Sigurisë, e cila është hapur nga Qeveria e Kosovës. Përkundër investimeve në klub, ai përsëri gjeti hapësirë të kontriboj për Sigurinë e Vendlindjes dhe Ushtrinë e Kosovës. z. Bejtush Batatina në vitin 1990 i tha STOP regjimit serb dhe më pas mori rrugën e gurbetit, pastaj mbështeti financiarisht njerëzit e ilegales së asaj kohe për çlirimin e vendit tonë kurse tash kontribon financiarisht për rininë e vendit dhe klubin e qytetit. Atdhe dashuria dhe besnikëria ndaj vendlindjes janë disa nga tiparet e veçanta që e karakterizojnë atë si personalitet”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kosovës, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kujtojmë, edhe dy mërgimtarë nga Podujeva, Nexhmi Zeqiri dhe Faton Blakqori kanë dhuruar 20 mijë euro për këtë fond, secili nga 10 mijë sosh./Llapi.info






