Një punëtor ka vdekur dhe një tjetër është lënduar teksa ishin duke punuar sot në rrugën “Faruk Rama” në Prishtinë.
Sinjali mëson se viktima është Bashkim Nitaj, rreth 56-vjeçar, të cilin pllaka e betonit e ka zënë gjatë punimeve.
Kurse, Policia ka bërë të ditur se i lënduari është dërguar për tretman mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë për Kryeqytetin, Enis Pllana, e konfirmoi për Sinjalin se rasti është raportuar rreth orës 17:00.
Ai shtoi se autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit tragjik.
“Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se dy persona janë lënduar derisa ishin duke punuar, në rrugën Faruk Rama në Prishtinë. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga personat ka ndërruar jetë.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes, ndërkohë që personi tjetër i lënduar është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht policia në koordinim me inspektorët e punës dhe prokurorinë, kanë nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha ai.






