Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për aksionin e zhvilluar nga Dogana, në asistim me Policinë e Kosovës, në fshatin Rudine të komunës së Zveçanit, në veri të vendit kundër prodhimit ilegal të kriptovalutave, por që rezultoi me zbulimin e një laboratori të drogës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pronari i objektit ku u gjet laboratori për kultivimin e marihuanës në të cilin ishin të mbjella mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg, është Sinisha Nedeljkoviç.

Përveç emrit të pronarit, Gazeta Sinjali ka siguruar edhe pamjet e objektit ku u gjet laboratori i drogës, i cili është në ndërtim e sipër.

Përpos këtij objekti i cili është në ndërtim e sipër, Sinjali mëson se Nedeljkoviç është pronar edhe i një objekti tjetër, në qendër të Zveçanit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se derisa Policia dhe Dogana ishin në hyrje të lokalit ku duhej të ekzekutohej bastisja, ata kishin kontaktuar me Nedeljkoviç, i cili u kishte thënë se gjendet në Serbi dhe derën nuk mund t’ua hapë askush.

Ky aksion u konfirmua edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri por aksioni vazhdoi me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.