Labinot Pireva nga Prishtina, si refugjat në Mbretërinë e Bashkuar, pati fatin e madh të bisedojë me mbretëreshën e Britanisë së Madhe, Elizabeth II.

Pireva bashkë me motrën Mimozën, ishte angazhuar si përkthyes në qendrën në Ulverston, ku ishte strehuar numri më i madhe i të ikurve nga lufta e Kosovës më 1999.

Aty mbretëresha kishte kërkuar të takonte dy familje kosovare, derisa po e vizitonte një manifestim në këtë rajon, e Labinoti ishte caktuar të përkthente.

Në një bisedë për Klankosova.tv, Pireva kujtoi se momentin e 23 viteve më parë, kur monarkja i kishte pyetur ata për mirëqenjën e tyre, ndërsa kishte ndarë dhimbjen për atë se çfarë kanë përjetuar familjet, njëra nga Livoqi i Gjilanit, dhe tjetra nga Glloxhani i Deçanit.

“Aty ishte duke u zhvilluar një manifestim vjetor në kështjellë ku edhe na takoi mbretëresha. Biseda ka qenë shumë miqësore, me ç’rast na ka pyetur se si kemi qenë dhe si po kalojmë. Në të njëjtën kohe na ka uruar mirëseardhje dhe ka ndarë dhimbjen për atë se nëpër çka kemi kaluar”, tha Pireva, duke kujtuar se ajo u kishte “uruar shëndet”.

Momenti ishte mbuluar edhe nga mediet lokale të kohës.