Një aksident rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mesditën e sotme në Prizren, ku ka humbur jetën një i ri.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10 në rrugën “Transiti i vjetër”, ku janë përfshirë një motoçikletë, një kamion dhe një veturë. Sipas hetimeve të para, dyshohet se shpejtësia e papërshtatshme ka çuar në aksidentin fatal.
“Dyshohet se drejtuesi i motoçikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, fillimisht ka goditur lehtë veturën, ndërsa më pas është përplasur nga prapa në kamion”, ka bërë të ditur Bytyqi.
Si pasojë e goditjes së fortë, motociklisti me inicialet E.A., rreth 29 vjeç, nuk u ka mbijetuar plagëve. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipet mjekësore menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit për të kryer këqyrjen e plotë të rastit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.






