I dyshuari për rastin ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, gjatë protestës së djeshme raportohet të jetë Fadil Zogaj. Ai dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar pasi me ndihmën e disa personave të tjerë e kapën Rexhepin dhe e kthyen prapa në pjesën tjetër të rrethojave para Kuvendit.
Sipas mediumit “Sinjali”, Zogaj u identifikua nga policia dhe është lokalizuar rreth orës 19:30 në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Më pas ai është shoqëruar për intervistim në zyrat e njësisë kompetente hetimore.
Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Rasti po trajtohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë po vazhdojnë.






