Një incident është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Strellc të Epërm të Deçanit, ku një përleshje fizike mes dy personave ka eskaluar deri në goditje me veturë.

Fillimisht, rasti ishte raportuar si aksident trafiku, por policia në vendngjarje ka konstatuar se bëhej fjalë për një konflikt të nisur në një lokal, e që më pas ka përfunduar jashtë tij, transmeton IndeksOnline.

Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për IndeksOnlinen se njëri nga të përfshirët në përleshje e ka goditur me veturë personin tjetër.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i godituri nga vetura është biznesmeni Xhafer Istrefaj. Pronari i një restoranti në Strellc është goditur nga bashkëvendasi i tij, Kujtim Alimusaj. Istrefaj ka shpëtuar me lëndime të lehta trupore.

Në vendin e ngjarjes ishte edhe Qerim Istrefaj, i cili ka shpëtuar poashtu nga veprimi i shkaktuar nga Kujtim Alimusaj.

“Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka kuptuar se është një përleshje mes dy personave në një lokal. Pasi kanë dalë nga lokali, njëri prej tyre e ka goditur me veturë tjetrin”, tha zëdhënësi i policisë, Fadil Gashi.