Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një rast të rëndë që ndodhi në rrugën “Kadri Kokollari” në Suharekë, ku një automekanik ka goditur një fëmijë të moshës 9-vjeçare me çelës të punës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. I dyshuari tashmë është arrestuar, ndërkohë që i mituri po trajtohet në QKUK.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u prangos, si i dyshuar për këtë rast është Skender Bugari, 26-vjeçar, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për rastin.

Siç mëson Sinjali, edhe pse i dyshuari është mbrojtur në Polici se këtë e ka bërë pa dashje, provat e siguruara dëshmojnë se goditja ka qenë e qëllimshme dhe për këtë është urdhëruar edhe ndalimi policor.

Sinjali raportoi mbrëmë se ngjarja ka ndodhur në servisin e veturave, ku automekaniku i dyshuar goditi fëmijën teksa po riparonte një veturë.

Si pasojë e lëndimeve të marra i mituri është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, por për shkak të lëndimeve të rënda ai është transferuar në spitalin rajonal në Prizren e më pas në QKUK.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.