Kuvendi komunal i Podujevës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme e kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të mbështetur nga këshilltarë të PDK-së dhe AAK-së ku për rend dite kishin vërshimet që ndodhën këto ditë në Podujevë, raporton Llapi.info

Këshilltari nga LVV Fitim Haziri, tha se ka pasur familje, lagje e fshatra të shumta që kanë qenë të bllokuara nga uji. A i përmendi edhe rastin e një familjeje ku sipas tij për disa ditë ka mbetur e bllokuar.

“Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, neni 40 që parasheh seancë të jashtëzakonshme, ne Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të mbështetur nga këshilltarë të PDK-së dhe AAK-së, duke parë gjendjen e jashtëzakonshme që ka qenë në Komunën e Besianës, kemi kërkuar që të thirret kjo seancë e jashtëzakonshme për vërshimet që kanë ndodhur këto ditë. Familje, lagje e fshatra të shumta këto ditë pas reshjeve dhe shkrirjeve të borës kanë qenë të vërshuara nga uji i lumenjve dhe i përroskave që kanë dalë nga shtretërit e tyre. Në shumë raste uji ka depërtuar brenda shtëpive duke iu shkaktuar shumë dëme materiale, madje disa nga familjet e prekura nga vërshimet qe disa ditë me radhë kanë qenë edhe të bllokuara. Njëra nga to është edhe familja e Hakif Fazliu.

“ Ai duke u munduar të bëjë një jetë më të mirë kishte ardhur nga Breca në fshatin Gllamnik për të jetuar në shtëpinë e ndërtuar nga njerëzit e vullnetit të mirë. Por ai nuk e gjeti këtë jetë që e ëndërronte. Ai sot është edhe më pakë i lumtur sesa kur jetonte në fshatin e lindjes në Brecë. Hakifi bashkë me gruan dhe fëmijët për disa ditë ka mbetur i bllokuar nga uji. Raste si ky ka pasur mjaftë këto ditë. Ne e kemi vizituar familjen e Hakifit dhe siç na ka thënë vet ai, edhe pse ka kërkuar ndihmë nga Komuna e Besianës, Komuna nuk ka bërë asgjë për të. Nëse Komuna nuk ka pasur mundësi t’ia heq ujin nga oborri të paktën ka mundur ta ndihmojë me gjëra ushqimore për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në të cilën gjendet. Veç kësaj uji atij ia kishte bartur edhe drutë dhe nuk kishte me çka të ngrohej. Komuna e Besianës thuajse çdo vit ballafaqohet me situata të tilla të vërshimeve, bile nga dy herë në vit, sa herë që ka të reshura më shumë. Është koha që qeverisja lokale të mendojë seriozisht për të gjetur një zgjidhje që të mos kemi situata të tilla.” ka thënë Haziri.

Tutje Haziri tha që të ndahet një shumë e konsiderueshme të mjeteve në mënyrë që të vazhdojë zgjerimi i lumit Llap.

“Ne si grup i Lëvizjes Vetëvendosje  kërkojmë nga Ekzekutivi që me rishikimin të buxhetit të ndajë një shumë të konsiderueshme të mjeteve dhe të vazhdojë me zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap këtu ku ka mbetur, sepse ne mendojmë se njëra prej zgjidhjeve të këtij problemi është jo vetëm zgjerimi, por edhe rregullimi i shtratit me beton dhe gurë sepse e kemi rastin në Lluzhan që është bërë vetëm zgjerimi dhe anash lumit është vendosë vetëm dhe të cilin këto ditë uji e ka shpërthyer dhe ka shkaktuar vërshime. Ne e dimë që lumi nuk ka mundësi të rregullohet me beton e gurë në krejt rrjedhjen e tij, por kjo duhet të bëhet sa më parë në pjesën që e përfshinë qytetin, ndërsa në vendet më të ndjeshme ku ka probleme, anash lumit të vendoset material më i fortë e jo dhe i shkriftë” tha ai. /Llapi.info