Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar propozimin-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare me destinim për subvencionimin e Klubit të Futbollit Llapi, pas triumfit të shënuar në Kupën e Kosovës, raporton Llapi.info.

Këtë propozim e ka paraqitur përpara asamblesë komunale, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Elhame Kutllovci, e cila duke uruar klubin nga Podujeva për garat e mëtejme, ka thënë se kjo është shumë e propozuar është simbolike për arritjet e klubit llapjan.

“Sportistët janë pasuria e vendit, na kanë bërë krenarë qoftë në nivel vendor, qoftë edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë herë Podujeva u bë temë diskutimi në të gjithë vendin falë tyre. Siç e dimë, KF Llapi na bëri krenarë duke sjellë në Podujevë Kupën e Kosovës. Si institucion kemi obligim ta shpërblejmë me një shumë simbolike klubin llapjan për këtë kontribut. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka kërkuar që klubit t’i ndahen 10 mijë euro si shpërblim për këtë fitore. Kjo shumë do të jetë një falënderim për ekipin dhe stafin e klubit të Llapit”, është shprehur Kutllovci.

Ndërkaq, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Qëndrim Softolli ka përkrahur këtë nismë për ndarjen e këtij buxheti për klubin nga Podujeva.

“LDK e përkrahë ndarjen e mjeteve për klubin e Llapit, nismë kjo që kalon prej Kuvendit. Gjatë mandatit të LDK-së është rregulluar infrastruktura duke i ndihmuar klubit të Llapit t’i arrijë këto suksese”, është shprehur Softolli.

Propozimin për t’ia ndarë 10 mijë euro klubit që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina e kanë përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Grupi i VV-së e përkrah këtë propozim, ndërkohë që Llapit i urojmë suksese në garat evropiane”, ka thënë këshilltari i VV-së, Bahri Blakçori.

“E mbështesim këtë propozim për ndarjen e mjeteve për Llapin, derisa këtë ndarje e bën Kuvendi dhe jo kryetari”, ka thënë këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli.

Pas diskutimeve, ky propozim që t’i ndahet buxheti prej 10 mijë euro për ekipin nga Podujeva u votua unanimisht nga të gjitha partitë në Kuvendin Komunal.

Llapi fitoi Kupën e Kosovës në edicionin 2020/21, me ç’rast ka siguruar edhe daljen në Evropë për herë të parë. Në Ligën e Konferencës do të garojë edhe nënkampioni i Kosovës. Shorti për raundin e parë kualifikues, ku paraqiten Llapi dhe nënkampioni kosovar, Drita, është më 15 qershor. Ndeshjet janë më 8 e 15 korrik./Llapi.info