Nën udhëheqjen e kryesuesit të kuvendit komunal, Hilmi Hoxha, dhe në prezencën e kryetarit të Komunës Shpejtim Bulliqi, nënkryetares Marigona Lahu, anëtarëve të ekzekutivit dhe asamblistëve, është mbajtur mbledhja e 9-të e rregullt e Kuvendit të Komunës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Pas miratimit të rendit të ditës të propozuar nga kryesuesi i kuvendit Hoxha, asambilstët vazhduan punimet për miratimin e pikave të ditës.
Gjatë punimeve të mbledhjes u miratua një numër i madh i pikave të rendit të ditës e ndër to ishte edhe miratimi i Propozim Vendimin për miratimin e Hartës Zonale të Komunës së Podujevës për periudhën 2022 -2030, njëherit edhe dokumenti më i rëndësishëm i komunës të cilën e prezantoi drejtori i Drejtorisë së Planfikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.
Përveç miratimit të konceptit të dokumentit të Hartës Zonale u miratuan edhe një numër i madh i pikave të rendit të ditës siç janë Propozim Vendimi për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2021 në vitin 2022 dhe destinimin në kategori dhe programe të caktuara buxhetore, Propozim Rregullorja për kushtet kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve,( Raporti nga diskutimi publik), Propozim Rregullorja per funksionimin e institucioneve edukative-arsimore të Komunës së Podujevës (Raporti nga diskutimi publik).
Propozimi per nisjen/inicimin e procedurave për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale (NPL) në Komunën e Podujevës, Propozim Vendimi për themelimin dhe përbërjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB në Komunën e Podujevës.
Propozim Rregullorja për mënyrën dhe kushtet e shfrytëzimit të Palestrës Sportive “Hakif Zejnullahu ” – Propozim vendimi për vënie në diskutim publik, u miratua dhe dëgjimi publik u caktua të mbahet më 18 maj, ndërsa Propozim Rregullorja për taksa tarifa dhe gjoba komunale- Propozim vendimi për vënie në diskutim public u miratua dhe si e tillë u caktua diskutimi më 23 maj 2022.
Raporti vjetor financiar për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2021 dhe Raporti financiar për periudhën janar -mars 2022 u prezantuan nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ku u diskutua nga asamblistët e subjekteve të ndryshme në kuvend.
Ndërkaq Propozim Vendimi për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të dispozitave Rregullores nr.prot.01-311/05-0007450/20 për orarin e punës së bizneseve që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës të datës 31 janar 2020, dhe atë: neni 5 paragrafet 1.3; 2.3; dhe 4.4, neni 6 paragrafi 4, neni 7 paragrafi 2, neni 9 paragrafi 1.3, neni 12 paragrafi 2, neni 15 paragrafi2.4; neni 16 paragrafi 2.3 dhe neni 17 paragrafi 2 i prezantuar nga drejtori i drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Vigan Salihu, u diskutua mes anëtarëve të kuvendit dhe ekzekutivit dhe kryetarit të Komunës Shpejtim Bulliqi.
Kryetari Bulliqi tha se në jetën praktike kjo rregullore ka shkaktuar një numër të madh të problemeve tek një pjesë e madhe e bizneseve, por edhe tek qytetarët të cilët kanë nevojë që ditëve të diela të marrin shërbime dhe të furnizohen.
“Vendimi juaj është i plotëfuqishëm sepse është në dorën tuaj, por ne kemi ankesa të dyfishta nga njëra anë të ata të cilët dëshirojnë largimin e kësaj rregullorje dhe nga ana tjetër me mbrojtë të drejtën e tyre për të mos punuar ditën e diele. Jemi në prag të sezonës verore pjesën e Liqenit të Batllavës, por edhe pjesën tjetër të Kaqandollit që bizneset kanë nevojë të operojnë sepse qytetarët kanë nevojë për shërbime, këto biznese zhvillohen dhe mbijetojnë nga kjo sezonë, ne jemi të intersuar t’i mbrojmë të drejtat e punëtorëve por kjo rregullore nuk i zgjidh të drejtat e punëtorëve dhe gjithashtu kjo rregullore nuk e obligon asnjërin që të punojë domosdoshmërisht por është vullnetare. Ne mundemi të hartojmë një rregullore të gjithë bashkarisht, e cila do t’i zgjidh problemet e dy anshme, edhe të bizneseve por edhe të qytetarëve. Andaj ju bëj thirrje të përkrahni pezullimin e përkohshëm të kësaj rregullorje deri në punimin e një rregullorje e cila do jetë zgjidhje për të gjithë, tha kryetari Bulliqi.
Pas diskutimit të kësaj pike me përkrahjen e asambilstëve kjo rregullore u pezulla deri më 30 shtator.
Informatën e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik e prezantoi drejtori i drejtorisë përkatëse, ku paraqiti punën dhe projektet e drejtorisë në fjalë.
Rishqyrtimi i Vendimit nr.01-020/04-0014613/22 për themelimin dhe përbërjen e Komitetit për Komunitete, të miratuar nga Kuvendi i Komunës në mbledhjen e mbajtur më 28 shkurt 2022, u ndryshua dhe u plotësua me përbërje të re nga pjestarë të komuniteteve dhe asambilstë të partive të ndryshme.
Ndërsa pika 15,Rishqyrtimi i Vendimit nr.prot.01-550/01-0014605/22 për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, të miratuar nga Kuvendi i Komunës në mbledhjen e mbajtur me 28 shkurt 2022 dhe pika 16, Rishqyrtimi i Vendimit nr.prot.01-353/02-0014599/22 i datës 28 shkurt/2022, i cili ka pasë për qëllim plotësimin dhe rritjen e mundësive për dhënien në shfrytëzim të ish objektit “Pushimorja për nxënës dhe fëmijë bonjakë të mbetur nga lufta e fundit në Kosovë” si vendime të kundërligjshme u prezantuan nga kryesuesi Hoxha dhe gjetën përkrahje nga asambilstët për anulim të tyre./Llapi.info






