Lokale - eSIMy

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në lidhje me kërkesën e presidentit për vlerësimin e vendimit të qeverisë me të cilin u kufizuan të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Kushtetuesja konstatoi se qeveria nuk ka pasur të drejtë të bëje kufizimin e lirisë së lëvizjes duke u bazuar në dy ligjet që e autorizojnë Ministrinë e shëndetësisë që të ndërmarrë veprime.

Përpos kësaj, Gjykata ka theksuar se kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhet edhe pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas Kushtetueses të drejtën për kufizimin e lirisë së lëvizjes sipas nenit 55 të kushtetutës e ka Kuvendi i Kosovës përmes miratimit të ligjit duke u kufizuar në masën e lejueshme aq sa nevojitët kufizimi I këtyre të drejtave.

Gjykata thekson se kufizimi nënkupton një shkallë me të lehtë të ndërhyrjes e cila bëhet pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa shmangja nga këto të drejta paraqet shkallën më të rëndë të ndërhyrjes dhe e njëjta mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

“Gjykata po ashtu sqaroi se termi “kufizim” i përdorur në nenin 55 të Kushtetutës nënkupton faktin që Kuvendi ka të drejtë të kufizojë të drejta dhe liri themelore, përmes ligjit, por vetëm për aq sa dhe deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi. Thënë ndryshe, “kufizimi” nënkupton një shkallë më të lehtë të ndërhyrjes dhe kjo mund të bëhet edhe pa shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme; ndërkaq “shmangia” nënkupton një shkallë më të rëndë të ndërhyrjes ngase nuk mund të bëhet kurrsesi pa u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sot Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 për kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.