Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të djeshëm në Prishtinë, ku katër të rinj që mes vete janë kushërinj, janë drejtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marrë ndihmë mjekësore, si pasojë e konsumimit të tepërt të alkoolit.

Sinjali mëson se pasi u udhëzuan që të shkojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, katër të rinjtë u fjalosën me personelin mjekësor brenda hapësirave të QKUK-së, ku ndodheshin edhe disa zyrtarë policorë. Polica kishte intervenuar menjëherë, mirëpo të rinjtë nuk kishin zbatuar urdhrat e tyre dhe si pasojë e kësaj janë arrestuar.

Po ashtu shoferi i veturës me të cilën po udhëtonin, ka dëmtuar laurën e hyrjes duke mos pritur që ajo të hapet.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës’ dhe ‘Dëmtim prone’.