Çdo qytetari të Kosovës, i cili është mbajtës i një familjeje në të cilën nuk punon asnjë anëtar, do t’i ofrohet punësim përmes skemës “Qeveria për familjet”.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, i bëri të ditura detajet në një konferencë për media, që mbajti të hënën në Prishtinë.
Për të përfituar nga kjo skemë, mbajtësi i familjes duhet të jetë i moshës së punës, 18-65 vjeç, të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe të jetë i regjistruar si i papunë apo punëkërkues në Agjencinë e Punësimit të Kosovës (APK).
Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo skemë vjen në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.
Kjo pako, me vlerë prej 420 milionë eurosh, është miratuar nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar, për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset t’i adresojnë humbjet e pësuara nga pandemia e koronavirusit.
Bizneseve që i punësojnë mbajtësit e papunë të familjeve, do t’u ofrohen subvencioneve nga Qeveria.
“Subvencionimi është deri në 300 euro. Paga mund të jetë më e lartë, por Qeveria subvencion pagë deri në 300 euro”, tha Murati.
Bizneset, që duan t’i punësojnë këta qytetarë dhe të përfitojnë nga subvencionet, duhet të aplikojnë në Zyrat e Punësimit nëpër komunat e tyre.
Nga kjo kategori, ato nuk mund të punësojnë më shumë se 30 për qind të stafit ekzistues.
“Nëse një kompani ka dhjetë punëtorë, ajo mund të punësojë tre punëtorë përmes kësaj mase”, tha Murati.
Bizneset duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa organizatat joqeveritare, që po ashtu kanë interesim për të punësuar mbajtës familjesh, duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Punëdhënësit duhet t’i paraqesin te Zyrat e Punësimit pozitat që u nevojiten, e pastaj Agjencia e Punësimit do të bëjë ndërlidhjen mes tyre dhe punëmarrësve.
Aplikimi i punëmarrësve dhe punëkërkuesve për këtë skemë nis nga 18 korriku.
Paga mesatare bruto në sektorin privat në Kosovë është rreth 380 euro.
Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Çmimet janë rritur edhe më, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni në muajin qershor të këtij viti ka arritur në 14.1 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Mbi 25 mijë familje në asistencë sociale
Ministri Murati tha se skema “Qeveria për familjet” do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme.
Shuma se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës zbatimi i kësaj skeme, nuk u bë e qartë.
Në Kosovë,asistencë sociale aktualisht marrin më shumë se 25 mijë familje.
Shuma e rregullt që marrin ato, sillet nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.
Të drejtën për asistencë sociale e ka familja në kushte më të rënda ekonomike, pa asnjë anëtar të punësuar.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Në skemën “Qeveria për familjet” mund të paraqiten edhe familjarë me asistencë sociale, por, në momentin e punësimit, ata do të hiqen automatikisht nga asistenca, ashtu siç e parasheh edhe Ligji i skemave sociale.
Qindra mijëra qytetarë, ekonomikisht joaktivë
Sipas Agjencisë së Statistikave, papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.
Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.
Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.