Sot janë bërë 24 vjet nga rënia e heroike e dëshmorit Visar Thaci nga Podujeva, shkruan Llapi.info.

Thaçi, në mbrëmjen e 17 korrikut të vitit 1998 – në kufirin shqiptaro-shqiptar ndeshen me forcat e armikut, ku zhvillohet një betejë e madhe në të cilën Visari merr një plagë.

Edhe pse i plagosur ai nuk tërhiqet nga beteja qe vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit.

Më 18.07.1998 me harxhimin e municioneve dhe humbjen e disa shokëve edhe Visari bie heroikisht në altarin e lirisë. Trupi i tij fillimisht u varros në Jasiq të Junikut.

Por, katër vite më vonë, me gjetjen e trupit të tij pas shumë përpjekjeve nga familja dhe ndihmës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ceremonia e rivarrimit të dëshmorit u bë në fshatin Zakutë në Podujevë.

Tani Visari me gjithë dëshmorët e ZOLL-it pushojnë ne Varrezat e dëshmorëve, në Penuhë.

Te Visari që nga rinia e hershme ishin vërejtur shenjat e trimërisë, guximit dhe patriotizmit për kombin dhe atdheun.

Me plot guxim e shkathtësi i kryente detyrat që ia parashtronin shokët e idealit siç ishte shpërndarja e afisheve, shpërndarja e fletushkës “ÇLIRIMI”, e cila atëherë ishte gazeta më e ndaluar nga regjimi serb, mirëpo Visari sakrifikonte dhe atë e shpërndante madje edhe në vendet më delikate.

Në demonstratat e vitit 1989 ishte gjithmonë i pranishëm dhe aspak  nuk ia kishte frikën armikut.

Në fillim ishte vendosur në Gjermani e më pastaj në Zvicër,  ku merr pjesë në klubin shqiptar “ILIRIDA” dhe e vazhdon punën e tij për ta ndihmuar atdheun e tij të robëruar.

Ai bashkë me shokët e tij më 23 qershor 1998 niset për t’i dalë krah UÇK-së. Në Shqipëri qëndrojnë disa ditë, derisa përgatiten me e shti armatimin e nevojshëm në Kosovë.  Visari, një djalë i ri gati 22 vjeç ishte ngarkuar me armatim dhe aspak nuk lodhej e as nuk frikësohej, sepse mendjen e kishte që armatimin të dërgonte  te shokët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Visari e dinte se ata nuk kishin armatim të mjaftueshëm për t’ju bë ballë forcave serbe të armatosura me të gjitha llojet e armëve, deri te artileria e rëndë!

Thaçi ra dëshmor më 18 korrik të vitit 1998./Llapi.info