Policia e Shtetit arrestoi të premten (12/07/2019), në Tiranë, një shtetas rus, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatat terroriste, që do të ekstradohet në Rusi.

Në një deklaratë të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se shtetasi rus, 34 vjeҫ, i identifikuar me inicialet R.M., akuzohet për pjesëmarrje si luftëtar në grupet militante të Shtetit Islamik kundër Forcave Qeveritare Siriane.

Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, shtetasi rus R. M., i lindur dhe rezident në qytetin industrial Norilsk në Rusi – qyteti në botë më pranë Rrehtit Polar të Artikut – kishte hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës, në Gjirokastër, me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.

“Shtetasi rus, 34 vjecar, është larguar nga Rusia për në Siri në qershor të vitit 2013 dhe i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit ‘Shteti Islamik’ (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri”, vë në dukje deklarata e Policisë së Shtetit.

Bashkëpunim i Drejtorisë së Anti-Terrorit me EUROPOL-in

Policia e Shtetit bën me dije se shtetasi rus R.M u fut në Shqipëri në tetor 2018 pa asnjë dokument identifikimi. Ai refuzoi të komunikonte me autoritetet e policisë kufitare dhe të intervistohej prej tyre. Shenjat e shumta të plagëve, të shkaktuara nga armë zjarri që u kontaktuan në trupin e tij gjatë kontrollit mjekësor rutinë të autoriteteve shqiptare bashkë me heshtjen e tij bënë të lindnin dyshime, se personi i ardhur nga Greqia, me grupin e azil-kërkuesve mund të ishte një person i rrezikshëm.

Deklarata e Policisë bën me dije se “Drejtoria e Antiterrorit dhe Prokuroria për Krime të Rënda e transferuan atë me urgjencë në Tiranë, në një prej qendrave pritëse të azil-kërkuesve dhe kërkuan ndihmën e EUROPOL-itt për ta identifikuar duke dërguar shenjat e gishtërinjve të tij dhe ADN.

Për rreth 10 muaj, Drejtoria e Anti-Terrorit komunikoi me EUROPOL-in derisa shtetasi rus me inicialet R.M. u identifikua si i kërkuar nga INTERPOLI në Moskë si luftëtar aktiv me grupin e paligjshëm, të armatosur të Shtetit Islamik.

Në Tiranë u hap këtë javë( 11/07) Zyra e Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL-it, e para zyrë e tillë në Ballkanin Perëndimor. Hapja e saj shihet si një mundësi më shumë për të thelluar bashkëpunimin e Shqipërisë me BE në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm./DW