Mbrëmë ka ndodhur një përleshje me thika në fshatin Ballovc të komunës së Podujevës në afërsi të një shkolle, si rezultat i një fjalosje në mes të disa personave, e ku për pasojë disa nga ta kanë pësuar edhe lëndime trupore.

I dyshuari për therjen me thikë ndonëse iku nga vendi i ngjarjes në momentin kur Policia arriti të intervenojë, ai nuk e shijoi lirinë gjatë sepse u kap pas një kohe të shkurtër.

Burimet e Gazetës Sinjali nga Prokuroria kanë bërë të ditur se i dyshuari për këtë rast që ra në prangat e Policisë një orë pasi ndodhi ngjarja është L.Toverlani, i cili është dërguar në stacion policor për t’iu nënshtruar procedurave ligjore.

Sinjali mëson se i dyshuari u kap në shtëpinë e tij, ku kishte fshehur edhe thikën që e kishte përdorur në përleshjen që rezultoi me lëndimin e tre personave.

Sipas të njëjtave burime, i arrestuari dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim të rëndë trupor”, për çka pas intervistimit të tij dhe ekzaminimit mjekësor, prokurori i shtetit do të nxjerrë aktvendim për dërgimin e tij në mbajtje.

Ndërkohë, Sinjali mëson se të lënduarit nga kjo përleshje janë dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kanë marrë gjatë sulmit.