Kryemisti i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për bisedimet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovës-Serbi.
Kurti ka dhënë detaje se çka u diskutua në takimin e 18 gushtit ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kurti tha se takimi trilateral ishte paraparë të trajtonte vetëm dy tema: diskutimet për marrëveshjen finale dhe çështjet aktuale, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka bërë të ditur se ka elaboruar në detaje këndvështrimin e palës kosovare dhe këndvështrimin e Qeverisë së Kosovës për kornizën e përgjithshme dhe elementet e marrëveshjes finale në formë të gjashtë kapitujve:
“Kapitulli i parë: Statusin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar, që në njërën anë nënkupton njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhdukur, etj.
Pas trajtimi të plotë të së kaluarës, mund të diskutojmë për hapat e të ardhmes e që kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit. Për ne e ardhmja është bashkëpunim.
Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe të drejtat përkatëse si për serbët në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Kapitulli i gjashtë: Rikonsiderimi i marrëveshjeve të deritanishme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç u dezinformua nga pala serbe.
Shqyrtimi i asaj se cilat prej këtyre marrëveshjeve janë tejkaluar nga nënshkrimi i marrëveshjes finale dhe cilat duhet të vazhdojnë të implementohen”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Kurti ka thënë se, propozimet e tij nuk janë shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala tjetër,
“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër, e cila në vend të ideve ka nxjerrë vetëm konstatime se nuk janë të interesuar për normalizim të plotë. Në vend të ideve ka nxjerrë konstatime. Ka qenë pritja jonë se kjo pikë e agjendës do të konsumojë pjesën më të madhe të kohës, për çka jemi pajtuar që qëndrojmë në Bruksel edhe ditën e ardhshme. Jo thjesht për menaxhim krize, ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e jo thjesht për menaxhim krize”, ka theksuar Kurti ndër të tjera






