Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vizituar sot punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë, raporton Llapi.info.
Në një adresim për medie, i pari i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se në këtë rrugë ka pasur zvarritje të punimeve, derisa është zotuar se kompletimi i kësaj rruge do të kryhet në vitin tjetër.
“Jemi me kryetarin Bulliqi këtu për të konstatuar një zvarritje në këtë rrugë, e cila përveç që është e dëmshme është edhe e paarsyeshme. Prandaj, sektori i dytë do të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa në vitin 2022 ne zotohemi se të përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka që kjo rrugë, e cila lidh Llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar dhe assesi njerëzit të mos i kenë këto vështirësi, me këtë trafik kaq të dendur, i cili duket si me qenë në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi”, ka thënë Kurti.
Edhe kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se shpreson që tani e tutje punimet në këtë rrugë do të ecin sipas dinamikës së paraparë, teksa u zotua se vitin e ardhshëm do të përmbyllet e tëra.
“Besojmë që nga sot e tutje procesi i punimeve të ecën mirë. Tani ditëve të fundit po shohim një dinamikë më të shtuar të punimeve dhe besoj që ky sektori i dytë do të përmbyllet deri në fund të vitit si proces i tërësishëm, pjesë e sektorit të parë që faktikisht është shkëputur kontrata dhe besoj që tash me fazën e ardhshme në vitin e ardhshëm projekti do ta marrë të mbarën dhe do të ecim tutje”, tha Bulliqi./Llapi.info






