Vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin kanë qenë të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare, ka thënë të martën ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar në Twitter ndër tjerash ambasadori amerikan.
Por një ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për “moskoordinim” me bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me zhvillimet që ndodhën të dielën në Veriun e Kosovës.
Madje liderët e subjekteve politike opozitare e kanë bojkotuar takimin e krerëve të shtetit për të diskutuar në lidhje me zhvillimet në pjesën veriore të vendit.
E një nga arsyet se pse LDK-ja e Lumir Abdixhikut e ka refuzuar takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, ishte edhe pretendimi që “ekzekutivi s’ka pasur koordinim me SHBA-te”.
“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme”, është thënë në komunikatën e LDK-së, të hënën.
Edhe Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, ka pretenduar se nuk ka pasur bashkëpunim mes Qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.
“Veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të dëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe kultivohen me seriozitet.”, ka thënë Çitaku gjatë një konference për media, të hënën.
Po atë ditë, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se Qeveria gjatë gushtit duhet të punojë sa më shumë me komunitetin ndërkombëtar për zbatimin e reciprocietit.
“Koha prej 30 ditësh për aplikimin e reciprocitetit është e shkurtër dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë të gjitha masat për të siguruar dhe garantuar zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë Tahiri gjatë një konference për media.
Si rrodhën zhvillimet
Fillimisht mëngjesin e së dielës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte dalë në publik për të thënë se “serbët po i dëgjojnë më pak thirrjet e Beogradit për ta ruajtur paqen me çdo kusht”.
Kjo deklaratë e të parit në Serbi erdhi vetëm një ditë para nisjes së zbatimit të reciprocitetit me dokumente.
Pak orë kaluan kur në Veriun e Kosovës u lëshuan “sirenat e luftës”, serbët lokalë u grumbulluan në Mitrovicën e Veriut.
S’mbaroi me kaq, vendosën barrikada nëpër rrugët që dërgojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Kjo bëri që Policia e Kosovës të mbyllë këto dy pika kufitare.
Lajmi për “alarmin e luftës”, kishte marrë jehonë ndërkombëtare. Lajmet nisën, kishte indikacione që tensionet do të kalonin në konflikt serioz.
Por pak minuta para se vendimi i 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës të hynte në fuqi, u shfaqë ambasadori amerikan.
“Kërkojmë nga Qeveria që ta shtyjë vendimin për 30 ditë”, kishte thënë Jeffrey Hovenier pas takimit që e kishte me presidenten Vjosa Osamni dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ky i fundit e zbatoi këtë kërkesë amerikane. Vendimi u shty për 1 muaj, pra deri më 1 shtator.
Por opozita lëshoi kritika mbi ekzekutivin se “koordinim me bashkësinë ndërkombëtare s’ka pasur”, derisa ambasadori amerikan e tha të kundërtën “ka pasur koordinim”. /Express