Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë dhe se cilësimet se VV-ja është antiamerikane “më s’i beson askush”.
“Natyrisht që edhe ne kur e luftojmë krimin e korrupsionin, me aq sa mundemi në një shtet që ende mbetet i kapur, sepse vetëm qeveria ka ndërruar, kundërshtarët përpiqen që të fshihen dhe streha e tyre janë thirrjet dëshpëruese që s’i beson më askush, për kinse antiamerikanizmin e kryeministrit. Këtë e kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja Vetëvendosje, e edhe kur tash jam kryeministër. Janë të njëjtat thirrje të dëshpëruara. Kosova është mbase vendi më proamerikan në botë. Kosova është shteti në të cilin Amerika ka ndër ndikimet më të mëdha në botë. Si bëhet që një politikan që paska qenë antiamerikan i fitoi zgjedhjet? Këto më s’i beson askush”, theksoi kryeministri i Kosovës.
Ai tha se veprimet e Qeverisë, si shkarkimi i bordeve, përgjysmimi i pagave, cenojnë shumë interesa. “Siç kemi përpjekje për t’u strehuar nga opozita e sotme, ashtu mund të kemi dikë që është jashtë opozitës. Unë s’i konsideroj ministrat të kësaj apo asaj partie, të VV-së apo LDK-së. Madje dy ministra që i kam propozuar unë nuk janë fare të subjektit ku jam kryetar. Unë të gjithë ata i kam konsideruar dhe i konsideroj si pjesë të të njëjtit ekip ku jemi bashkë në programin tonë. Ky është udhërrëfyesi e principi ynë, por aty e gjeni edhe synimin dhe objektivat tona. Ne kemi, duam dhe do të kemi marrëdhënie të mira, partneritet të gjerë, aleancë të fuqishme me SHBA-në. SHBA-ja dhe BE-ja, Amerika dhe Evropa, na nevojiten që të dyja. S’kemi zëvendësim për to, dhe ato nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën. Është gabim të thuash po Amerika e jo Evropa, apo anasjelltas. Po Amerika dhe po Evropa. Lidhja transatlantike është jetike për Kosovën dhe shqiptarët”, theksoi Kurti.






