Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti fushatën zgjedhore të martën e ka nisur nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës.
Këtu ai po takon pensionistët e kësaj shoqate ku po bashkëbisedon me ta për programin dhe zotimet e tij për këtë kategori, njofton Klan Kosova.
Kurti aty tha se do të kërkojë fondin pensional nga Serbia nëse është në Qeveri, duke shtuar se duan të ndryshojnë gjendjen e të moshuarve në Kosovë.
“Gjithashtu duhet të kemi fuqizim të sindikatave që ua mbrojnë të drejtat punëtorëve më parë ligji i mbronte individualisht por sindikatat i mbrojnë kolektivisht. Ne duk do të jemi kundër sindikatave por do t’i mbrojmë ato, sepse askush nuk ka punuar gjatë si ju pensionistët, prandaj ju jemi shumë falënderues dhe mirënjohës, por në të njëjtën kohë me shumë indinjatë konstatojmë se ndaj të moshuarve në Kosovë , shteti jonë nuk nënë e dashur por njerk e hidhur”.
“Në këtë kuptim duam ta ndryshojmë gjendjen pas 6 tetorit, duam që asnjë i moshuar të mos dëshmojë që është gjallë për të marrë atë që i takon. Duam të ju ndihmojmë sa i përket transportit publik, duam të rrisim numrin e qendrave rekreative dhe shtëpive për të moshuarit , ashtu që pleqëria të mos jetë faza e fundit e jetës por një faze e re e jetës”.
“Ne nuk mund të kemi informacione nga bota për dijen, andaj duke e kuptuar dijen dhe përvojën e juaj, ne do të bashkëpunojmë me juve për zhvillim e shtetit ekonomik, të drejtësisë dhe atij social”, ka deklaruar Kurti.