Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel, të cilit i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për marrjen e detyrës.

Në këtë takim, Kurti përmendi kontributin e shtetit belg në pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare derisa theksoi marrëdhëniet e mira tregtare dhe interesimin e kompanive belge për investim në Kosovë, siç është rasti me kompaninë “PowerPack”.

“U fol për rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme bilaterale, si ajo për bashkëpunim policor, për arsim dhe taksim të dyfishtë. U bisedua për situatën me pandeminë dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e variantit Delta”, tha Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri i ofroi shefit të ri të misionit diplomatik belg bashkëpunimin e plotë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ndërsa, Sassel tha se Belgjika do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë dhe popullin e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike.