Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Komunat e Klinës, Pejës dhe Istogut, për të parë nga afër situatën pas erërave të fuqishme që i preken këto anë dhe për t’i dëgjuar po ashtu kërkesat dhe shqetësimet e banorëve të këtyre komunave, njëkohësisht duke iu premtuar atyre mbështetjen e Qeverisë në sanimin e këtyre dëmeve.
Fillimisht, kryeministri Kurti e ka vizituar fshatin Stup të Komunës së Klinës, i shoqëruar nga Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.
“Nga kryetari i Komunës u njoftuam se kanë krijuar një komision për
evidentimin e dëmtimeve dhe porsa të dalim me një regjistër të këtyre
dëmeve, si Qeveri e Republikës së Kosovës do të shqyrtojmë se çka mund
të ndihmojmë, duke pasur parasysh nevojat më urgjente, së pari”, tha
kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri Kurti tha se dëmtimet më
të mëdha janë në pullazet e shtëpive dhe në serat e fermerëve, duke
theksuar se është fat që nga gjithë këto tjegulla të rëna në tokë nuk ka
pasur vdekje të njerëzve, apo lëndime të tyre.
“Dëmet materiale
natyrisht që janë e keqja më e vogël, kur mund të kesh parasysh se çfarë
dëmesh të tjera më të mëdha në njerëz kanë qenë të mundura nga erërat e
fuqishme”, tha kryeministri Kurti, duke premtuar se Qeveria do të jetë
pranë komunës dhe banorëve të Klinës.
Kryetari i Komunës së
Klinës, Zenun Elezaj, falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, duke
thënë se dëmtimet në këtë komunë janë të mëdha sidomos në bujqësi, në
objekte shkollore, por edhe në rrjetin elektrik.
Më pas,
kryeministri Kurti vizitën e ka vazhduar në Komunën e Istogut, në
ndërmarrjen prodhuese “Agroprodukti”, për të parë siç tha ai, sukseset e
kësaj ndërmarrjeje prodhuese dhe të dobishme për ekonominë tonë për
punësimin për veprimtarinë bujqësore.
“Po vijmë në një ditë si
kjo pas dëmtimeve të mëdha që keni pësuar nga erërat e fuqishme këtu në
Istog”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ndër tjerash, kryeministri
Kurti falënderoi kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova për praninë
dhe tha se është aty bashkë edhe me dy ministrat, në mënyrë që të
njoftohen prej së afërmi me dëmet, e që pas regjistrimit, evidentimit të
vlerësimit të tyre të shohin edhe si komunë, edhe si qeveri se çka do
të mund të ndihmojnë duke u përqendruar tek nevojat urgjente së pari në
një plan më afatgjatë.
“Fondi i Sigurimeve Bujqësore i zgjidh
këto problem, sepse ne fatkeqësi pas fatkeqësie, nuk po nxjerrim mësim
asnjëherë. Në vende të zhvilluara demokratike perëndimore, në veçanti
Bashkimin Evropian, pikërisht me sigurime bujqësore evitohen gjithmonë
humbjet prej dëmtimeve të këtilla natyrore, prandaj do të na duhet të
merremi sa të mundemi me sanimin e kësaj gjendjeje tash por në një
aspekt më afatgjatë”, deklaroi kryeministri Kurti, i cili bëri të ditur
se vetëm Fondi i Sigurimeve Bujqësore është ai që e zgjidh këtë problem
në mënyrë të përhershme që natyrisht se mund të përsëritet për shkak të
gjeografisë së kësaj komune e cila është e njohur për këto erërat e
fuqishme.
Po ashtu, kryeministri Kurti, tha se dëmtimet që i panë
këtu, por edhe në Klinë, të rrjetit elektrik, KEDS do të duhej të
merrej dhe t’i rregullonte ato, kurse komunat e Istogut, Klinës edhe
Pejës duhet të shohin se çka mund të bëjnë për t’u dal në ndihmë
familjeve të cilët kanë pësuar dëmtime, posaçërisht në pullazet e
shtëpive të tyre.
Në këtë komunë, kryeministri Kurti vizitoi edhe
shkollën “Hysni Zajmi” të fshatit Vrellë dhe shkollën “Zymer Zeka”, në
fshatin Kaliqan.
Kryeministri Kurti tha se mësimi në këto kushte
është bërë i pamundur, andaj duhet bërë riparimi, sanimi i dëmeve, në
mënyrë që këto ndërtesa shkollore, nxënësit dhe arsimtarët e tyre t’i
kthehen normalitetit.
Pas vizitës në komunat e Klinës e Istogut,
kryeministri Kurti ka vazhduar për në Komunën e Pejës, ku ka vizituar
edhe shkollën e Mesme të Lartë Ekonomike “Ali Hadri”, për të parë
gjendjen atje pas erërave të forta në këto anë.
“Ne ishim
paraprakisht në Klinë dhe në Stup, pastaj në Istog, Vrellë e Kaliqan,
erdhëm edhe këtu në Pejë në një kohë të vështirë ku pritet të bëhet edhe
riparimi i dëmeve të cilat janë të konsiderueshme në aspektin material,
por ishim me fat në këtë fatkeqësi që nuk kemi dëme në njerëz”, u
shpreh kryeministri Kurti.
Ndër tjerash, kryeministri Kurti tha
se ka dëmtime në rrjetin elektroenergjetikë, në bujqësi, në shkolla dhe
nëpër shtëpi familjare dhe se pasi të bëhet evidentimi, regjistrimi dhe
vlerësimi i këtyre dëmtimeve do të bëjnë gjithçka që është e mundur që
të bashkëpunojnë për sanimin dhe riparimin e tyre.
Kryetari i
Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se dëmet në këtë komunë janë të
konsiderueshme, duke filluar nga shkollat, në sektorin privat, në
bujqësi, dhe tashmë janë duke punuar komisionet të cilat do të
evidentojnë dëmet e shkaktuara.








