Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën ekipin përfaqësues të xhudos, që në fundjavë doli i parë në Evropiani e mbajtur në Portugali.

Kosova fitoi dy medalje të arta, një të bronztë dhe dy vende të pesta në Evropiani e seniorëve, duke përfnduar kështu ekipi më i suksesshëm mes 45 shteteve pjesëmarrëse.

“Është kënaqësi shumë e madhe të shoh Kosovën të renditet e para në mesin e 45 shteteve të Evropës”, tha Kurti.

Kampionë dolën Distria Krasniqi e Akil Gjakova. Për të janë titujt e parë të Evropës. E bronztë përfundoi Nora Gjakova, kurse vendet e pesta i zunë Laura Fazliu e Loriana Kuka.

“Gjatë takimit u diskutua për qytetin e Pejës si vend me histori dhe traditë në sportin e xhudos, dhe kryeministri Kurti vuri në pah faktin se si një lagje e Pejës po prodhon kampionë të nivelit ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.